Lajme
Pas Francës dhe Gjermanisë, edhe Britania refuzon të paguajë me rubla për gazin rus
Demokracia
18:32 | 31 Mars 2022

Share:

Gjermania dhe Franca kanë dalë tashmë të dyja për të thënë se refuzojnë kërkesën e Rusisë për pagesat e gazit në rubla.

I pyetur nëse Britania e Madhe do ta pranonte kërkesën e Rusisë, një zëdhënës i kryeministrit Boris Johnson tha se kjo nuk ishte diçka që do të shqyrtohej, raporton BBC, transmeton Demokracia.com.

Ai tha se Mbretëria e Bashkuar po monitoronte implikimet për tregun evropian.

Kujtojmë se Presidenti rus, Vladimir Putin, tha më 31 mars se ka nënshkruar një dekret ku thuhet se blerësit e huaj duhet të paguajnë në rubla për gazin rus nga 1 prilli dhe kontratat do të ndërpriten nëse këto pagesa nuk do të kryhen.

“Për të blerë gazin natyror rus, ata duhet të hapin llogari në rubla në bankat ruse. Nga këto llogari do të bëhen pagesat për gazin e dorëzuar duke filluar nga nesër,” tha Putin në një deklaratë televizive.

“Nëse pagesat e tilla nuk bëhen, ne do ta konsiderojmë këtë një falimentim nga ana e blerësve, me të gjitha veprimet që pasojnë. Askush nuk na shet asgjë falas dhe ne nuk do të bëjmë as bamirësi – domethënë kontratat ekzistuese do të ndërpriten.”

Vendimi i Putinit për të zbatuar pagesat me rubla për gazin e ka rritur monedhën ruse, e cila ra në nivelet më të ulëta historike kur Perëndimi aplikoi sanksione gjithëpërfshirëse pasi ai dërgoi ushtrinë e tij në Ukrainë më 24 shkurt./Demokracia.com/

Të ngjashme