Mungoi në “Epopenë e Dukagjinit” më 24 mars, madje nuk e tha asnjë fjalë e nuk e shkroi as edhe shkronjë për këtë ngjarje historike.
Pasi e “harroi” Epopenë, Kurti nuk e përkujtoi më 16 prill as Shkëlzen Haradinajn, njërin nga figurat kryesore të UÇK-së në Rrafshin e Dukagjinit.
Të njëjtën gjë e bëri edhe sot, kur nuk e përkujtoi Luan Haradinajn në përvjetorin e 25-të rënies së tij. Luan Haradinaj është njëri nga luftëtarët e parë të UÇK-së dhe njëri nga dëshmorët e parë të luftës për liri, shkruan Demokracia.com.
Të gjitha këto injorime të Kurtit për ngjarjet historike në Dukagjin mund ta kenë një të përbashkët: Rivalitetin e tij me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, rivalitet ky që tashmë i ka kaluar kufijtë politikë.
Kritikat e Haradinajt për qeverinë Kurti duket se janë shkaku kryesor që ky i fundit të mos respektojë kontributin e familjes Haradinaj gjatë luftës çlirimtarët të Kosovës.
I pari i qeverisë, që zakonisht shkruan për betejat e lavdishme të UÇK-së dhe përkujton figurat të rëndësishme në profilin e tij në “Facebook”, këtë platformë sociale sot e ka përdorur për të shënuar ditëlindjen e Skënderbeut.
“Sot shënojmë ditën e lindjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Ai është ikona e identitetit shqiptar, simbol i denjë i gjallërisë së kombit tonë dhe i dëshirës sonë për liri!”, ka shkruar Kurti.
Dhe jo vetëm këtë postim, por Kurti po ashtu sot i ka uruar qytetarët e komunitetit goran në Kosovë për ditën e tyre.
Por ndryshe nga Kurti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shkruar për të tria këto ngjarje – për Epopenë e Dukagjinit, rënien e Shkëlzen Haradinajt dhe sot e përkujtuar Luan Haradinajn në 25 vjetorin e rënies së tij në kufirin Shqipëri-Kosovë.
Kush ishte Luan Haradinaj?
Luani me vëllanë e tij, Shkëlzenin dhe me bashkëmendimtarë të tjerë ishin ndër pjesëtarët e bërthamave të para të rezistencës së armatosur në Dukagjin qysh nga nëntori i vitit 1993.
Prej asaj kohe, Luan Haradinaj me vëllezër, veçmas me Ramushin, Shkëlzenin, Dautin dhe me shokët e idealit, si: Lahi Brahimaj, Agim Zeneli, Adrian Krasniqi, me tërë forcën e tij iu kishte përkushtuar punës në organizimin e grupeve të armatosura. Duke qenë se kishte treguar angazhim dhe shkathtësi organizative, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, qysh në vitin 1994, i cakton detyrën e shefit të logjistikës.
Luan Haradinaj me vëllezër e shokë të idealit, përveç punës në furnizimin me armatim të luftëtarëve të ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka marrë pjesë edhe në organizimin dhe kryerjen e një mori aksionesh luftarake kundër policisë serbe, sidomos nëpër pika strategjike dhe mbi stacione policore, si në Baballoq, në Isniq, në Deçan, në Junik, Hulaj e në vendqëndrime të tjera të forcave serbe.
Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Luani ishte njoftuar me një rreth të gjerë të bashkëluftëtarëve, nga të gjitha trojet, veçmas të Kosovës. Luani ka mbajtur kontakte edhe me komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, pastaj me Hashim Thaçin, me Sahit dhe Musë Jasharin nga Prekazi, me Rexhep Selimin dhe Sylejman Selimin nga Açareva, me Abedin Rexhën, me Fehmi Lladrovcin e Ramiz Lladrovcin e me shumë luftëtarë të tjerë të Drenicës.
Ka mbajtur kontakte me Zahir Pjazitin e Ilir Konushevcin nga Llapi, me Mujë Krasniqin e Ali Krasniqin nga Çabiqi dhe me luftëtarë të tjerë të Dukagjinit si: Adrian Krasniqi, Edmond Hoxha, Sadri Zeneli, Lahi Brahimaj e të tjerë.
Më 6 maj të vitit 1997, Luan Haradinaj së bashku me të vëllanë, Ramushin, dhe me Fehmi Lladrovcin dhe Xhevë Krasniqin-Lladrovcin, Ilaz Kodrën, Abedin Rexhën, Selim Krasniqin, Rafet Ramën, Ramiz Lladrovcin, Emrush Xhemajlin, Ali Ahmetin, Gani Ramën e të tjerë, ishin nisur në rrugë për të kaluar kufirin afër fshatit Vlahne të Hasit, në drejtim të Kuzhinit. Atë ditë, forcat okupatore kishin zënë pusi, ndërsa Luani, i cili u printe bashkëluftëtarëve, bie i pari në pritë të forcave ushtarake e policore jugosllave. Me këtë rast plagoset rëndë Rafet Rama, ndërsa lehtë plagoset Ramush Haradinaj dhe Fehmi Lladrovci.
Në ato momente kishte filluar përleshja e armatosur. Forcat serbe kishin goditur me armë të rënda të artilerisë, me qëllim të t’i asgjësonin të gjithë luftëtarët. Pas përpjekjeve të shumta dhe kundërsulmit, Ramush Haradinaj arrin t’i afrohet trupit të vëllait. Pasi e sheh të shtrirë dhe me plagë në kokë e fytyrë, konstaton se Luani kishte vdekur. Nën breshërinë e granatave dhe të plumbave, Ramush Haradinaj arrin ta tërheq trupin e pajetë të vëllait.
Pas katër orë rrugëtimi, me rastin e tërheqjes, Ramushi me bashkëluftëtarë e bartin mbi supe trupin e Luan Haradinajt dhe shkojnë në fshatin Vlahne. Atje, me nderime varroset trupi i dëshmorit të kombit, Luan Haradinaj. /Demokracia.com/