Lajme
Pas dy vitesh pauzë, në Prishtinë rikthehet Panairi i Librit, çmimet janë të përballueshme për qytetarët
Demokracia
16:30 | 11 Qershor 2022

Share:

Me moton “Libri mbron mendjen”, në Prishtinë ka nisur edicioni i 22-të i Panairit të librit. Pas dy vitesh pauzë, për shkak të pandemisë, ky event rikthehet në kryeqytetin e Kosovës, si çdo herë në Pallatin e Rinisë, nën organizimin e Shoqatës së Botueseve.

Nga e marta e 7 qershorit e deri më 12 qershor në Prishtinë po qëndron i hapur ky panair për vizitorë çdo ditë nga ora 9:00 deri në ora 20:00 dhe hyrja është pa pagesë, raporton Demokracia.com.

Në këtë panair po marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Diaspora. Aty janë ekspozuar rreth 6 mijë tituj librash prej tyre 2 mijë të ri. Shtëpitë botuese kanë deklaruar se është zbehur paksa interesimi dhe se çmimet e librave janë të përballueshme për qytetarët e Kosovës, ku disa prej tyre kanë bërë edhe zbritje të librave.

Edhe qytetarët janë shprehur të interesuar për të blerë libra me çmim sa më të volitshëm për ta.

Tradicionalisht, Panairi i Librit në Prishtinë është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komuna e Prishtinës. Panairi i Librit i Prishtinës, krahas atij të Tiranës është panairi më i madh i librit shqip, raporton Demokracia.com.

Vetëm Panairi i parë i Librit në Prishtinë është mbajtur mes datave 17 dhe 22 nëntor 1999, për shkak të Luftës së Kosovës, ndërsa të tjerët janë mbajtur në muajin maj ose qershor.

Që nga atëherë Panairi ka vazhduar pandërprerë deri më tani. Me kalimin e kohës ky panair është bërë njëra nga ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj duke u transformuar në një vend të rëndësishëm ku promovohet ideja dhe nevoja për krijimin dhe afirmimin e vlerave të mirëfillta kulturore si dhe për një debat të shëndoshë për librin./Demokracia.com/

Të ngjashme