Pas dorëheqjes së Sejdi Hoxhës nga pozita e kryetarit të degës së PDK-së në Drenas, ka reaguar kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Ky i fundit e quajti lajm jo të mirë largimin e Sejdiut nga posti i kreut të PDK-së në Drenas.
“Partia Demokratike e Kosovës, niveli qendror e lokal është duke u përgatitur për zgjedhjet lokale. Kjo dorëheqje nuk i bën mirë as degës, as elektoratit e as garës elektorale”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.
Tutje ai shtoi edhe se organizimi i strukturave të PDK-së në Drenas ka qenë i suksesshëm.
“Dorëheqjen e z. Hoxha e shoh me keqardhje edhe si kandidat i PDK-së për mandatin e dytë në krye të Drenasit. Organizimi i strukturave lokale të PDK-së në Drenas ka qenë çdo herë i suksesshëm dhe e kemi dëshmuar me fitoren e përhershme, nga zgjedhjet e para e deri më sot. Këtë e ka dëshmuar edhe z. Hoxha gjatë mandatit të tij”, shtoi tutje Lladrovci.
Kryetari i degës së PDK-së në Drenas, Sejdi Hoxha, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e tij.
Hoxha ka thënë se dorëheqja e tij vjen pas situatës së krijuar në degën e partisë në Drenas.
Në një letër të bërë publike në profilin e tij në Facebook, Sejdi Hoxha ka thënë se ka dhënë gjithçka nga vetja e tij për ta mbajtur degën unike dhe të fuqishme porse kjo ka rezultuar e pamundur, “sepse ka shumë probleme të cilat i tejkalojnë kompetencat e mia si kryetar i degës, dhe për pasoje erdhi deri të shpërthimi i shumë pakënaqësive të cilat tash më janë të njohura për opinionin”.
Sipas Hoxhës, PDK në qendër e ka injoruar dhe e ka neglizhuar situatën e krijuar në Drenas duke mos e trajtuar me seriozitetin që e meriton, prandaj edhe duhet ta mbajë pjesën e përgjegjësisë për këtë situatë.