Lajme
Pas dështimit 39 ditësh për rregullimin e turbinës, B2 nisi prodhimin pas mesnatës
Demokracia
08:33 | 23 Janar 2022
Ilustrim

Share:

Pas mbi një muaj jashtë funksionit, ku si pasojë e rënies Kosova importoi rreth 50 milionë euro energji, blloku B2 i termocentralit Kosova B është kthyer në funksion pas mesnatës.

Blloku B2 i Kosovës B ka startuar së funksionuari pas rehabilitimit teknik të shtunën pasdite, ka bërë të ditur zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli. Ndërsa, është futur në prodhim që të prodhojë energji elektrike pas mesnatës, shkruan Demokracia.com.

“Në këto orë të vona të mesnatës, pas një angazhimi të jashtëzakonshëm të të gjithë punëtorëve të KEK-ut, sidomos të termocentralit Kosova B, blloku B2 ka startuar me punë. Në këtë kohe kur po flasim vetë kanë dalë megavatet e para, e që nesër në mëngjes do të startojë me funksion të plotë”, ka thënë Bucolli në një video në rrjetin social.

Të shtunën ishte paralajmëruar se kanë qenë duke u bërë testet e fundit për rikthimin e bllokut B2 në funksion.

Prolongimi për disa orë i rikthimit të këtij blloku është bërë për shkak të testimit më të gjithanshëm të stabilimenteve të tij, pas remontit që zgjati 39 ditë, ose që nga 14 dhjetori kur ndali punën pasi që u konstatua defekti teknik.

Vlen të përmendet që në dhjetor të vitit që lamë pas KEK-u ka angazhuar ekspertë të huaj për inspektimin dhe riparimin e dëmeve të krijuara nga avaria në turbinën e shtypjes së ulën, në Njësinë B2 të ‘Termocentralit B’.

Kosova është duke u përballur me një krizë energjetike që nga muaji dhjetor për çka tani ZRRE ka paralajmëruar edhe shtrenjtim të çmimit të energjisë, e cila është pranuar edhe nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 49-të kishte ndarë 20 milionë euro për Korporatën Energjetike të Kosovës.

Qeveria pati thënë se këto mjete do të shërbejnë për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike. Shfrytëzimi i mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes KEK-ut dhe Ministrisë së Ekonomisë./Demokracia.com/

Të ngjashme