Lajme
Pas dështimeve të Kurtit në qeverisje, LVV i rikthehet sulmeve ndaj Thaçit, Veselit, Mustafës e Limajt
Demokracia
17:42 | 03 Tetor 2022

Share:

Në dy vitet e fundit, Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet, ndërsa Hashim Thaçi e Kadri Veseli po qëndrojnë në paraburgim në Hagë si ish-krerë të UÇK-së. Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po vazhdon që t’i akuzojë ata se “nuk duan ta shohin Kosovën mirë”, me shpresë që arrin t’i mbulojë dështimet e saj në qeverisje.

Këtë të hënë kanë shpërthyer reagimet ndaj pushtetit, i cili vendosi t’i ndalë rrogat e mësimdhënësve, pasi që mbajtën grevë në kërkim të përmbushjes së kërkesave të tyre.

Pikërisht sot, Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar në faqen e saj zyrtare një video, që nis me presidentin Hashim Thaçi, ish-zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli.

LVV-ja i akuzon ata se janë “shkatërrues të shtetit dhe se nuk duan ta shohin Kosovën mirë”, pavarësisht faktit që janë themelues të këtij shteti.

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin. Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme por praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër. Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre, VETËVENDOSJE!”, thuhet në postimin e VV-së, të përcjell me një video.

LVV ka fituar zgjedhjet për të dytën herë më 14 shkurt të vitit 2021 dhe prej marsit të atij viti qeveris në vend.

Në këtë video shfaqet edhe fytyra e ish-kryeministrit Isa Mustafa, i cili është tërhequr nga skena politike, ish-kryeministrit tjetër, Ramush Haradinaj dhe ish-kryediplomatit Behgjet Pacolli. Në videon e LVV-së, ku janë apostrofuar ish-funksionarët, nuk është përfshirë shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së , Mimoza Kusari, e cila ka qenë pjesë pushteteve të kaluara .

Të ngjashme