OpEd
Pas debatit të parë presidencial: A do të guxojnë demokratët të ndryshojnë kandidat?
Demokracia
09:32 | 29 Qershor 2024

Share:

Nga Ruben Avxhiu

Debati mes dy kandidatëve për president në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka lënë në gjendje shoku votuesit demokratë për shkak të paraqitjes shumë të dobët të Presidentit Joe Biden.

Udhëheqësi më i fuqishëm i botës pati probleme me artikulimin e qendrimeve dhe pikëpamjeve të tij duke vënë në dyshim të madh aftësinë e tij për të qeverisur në katër vitet e ardhshme.

Edhe Donald Trump, nëse fiton në nëntor, do të bëhet presidenti më i moshuar në historinë e Shteteve të Bashkuara, por ai duket më i shkathët dhe më në zotërim të aftësive të tij mendore sesa presidenti në fuqi.

Shumica e amerikanëve do të preferonin dy kandidatë të tjerë, por shumicat brenda dy partive kanë refuzuar çfarëdo ndryshimi.

Për ironi, shumë më pak të habitur janë votuesit republikanë dhe pjesa më e madhe e të pavarurve, të cilat kanë parë plot shembuj nga filmime të sjelljes në publik të Presidentit Biden që theksonin rënien mendore dhe fizike të tij. Ndërkohë që komentatorët dhe opinionistët më të njohur të vendit, kryesisht të anuar nga demokratët akuzonin këdo që e ngrinte si çështje gjendjen e presidentit si një propagandë të ekstremit të djathtë.

Megjithatë, edhe republikanët dyshonin se Biden do të ishte në gjendje të mirë sa për të përballuar debatin, duke besuar lloj lloj teorish konspiracioni për drogim, e përdorim medikamentesh që sjellin një përforcim të përkohshëm të shqisave dhe aftësive mendore.

Politika në SHBA është kthyer pak si punë feje apo si punë tifozllëku sportiv, një formë që shqiptarët e njohin mirë. Kështu që demokratët megjithë dyshimet që mund të kenë pasur kanë besuar deri në fund te një mrekulli. Debati i djeshëm ka qenë një dush i ftohtë.

Sot në mëngjes papritur media kryesore e vendit ishte e gjitha në këmbë kundër presidentit. Tani është papritur jo vetëm e lejuar, por e kërkuar që të vësh në pikëpyetje aftësitë e tij.

Nuk mund të thuash se drejtuesit e fushatës të Partisë Demokrate nuk e kanë ditur. Nuk kishte asnjë arsye që debati i parë presidencial të mbahej në qershor, kur ai mbahet rregullisht në shtator dhe pastaj në tetor, pra sa më afër datës së zgjedhjeve. Debati ishte një test që u bë në kohë, pak përpara Konventës Kombëtare të Partisë Demokrate për t’u dhënë demokratëve kohë që ta zëvendësojnë presidentin nëse anketimet tregojnë humbjen e sigurtë të tij.

E gjitha qelbet era mungesë përgjegjësie. Është vështirë në politikën amerikane që të detyrosh një president në fuqi që të mos kandidojë për herë të dytë, por jo e pamundur. Strategjistët demokratë kanë pasur frikë të nxisin përmbysjen për shkak të rrymës së fortë majtiste që është krijuar në parti, e cila ose mund të nxjerrë fitues një kandidat tepër të majtë që do të trembë votuesin e pavarur, ose do të nxjerrin një figurë më të moderuar që nuk do të ketë autoritetin e mjaftueshëm për të bashkuar partinë.

Edhe republikanët nuk patën guxim të nxjerrin një kandidat më të ri dhe më pak konsumuar, me më pak drama legale dhe me prirje për të krijuar konflikte të panevojshme. Retorika e kandidatit Donald Trump ngjan nganjëherë krejtësisht e çartur, por ai vazhdon të përfaqësojë masën e miliona amerikanëve të vendosur për t’i dhënë një shpullë të dytë historike elitave politike, kulturore, e akademike në SHBA.

Në fakt këto elita i tmerron perspektiva e një mandati të dytë presidencial nga Donald Trump. Frika është reale dhe ndonëse ka disa arsye të forta për t’u shqetësuar, është vështirë të dallosh se deri ku është e bazuar kjo frikë në realitet e deri ku është rezultat i alarmizmit të fryrë e vetëshërbeys në media. Nuk është më viti 2016, Trump ka qenë një herë President dhe i vetmi shqetësim real është këmbëngulja e tij për të mos pranuar humbjen e zgjedhjeve në 2020. Kritikët e tij pra kanë arsye të druhen se nëse bëhet president Trump nuk do të largohet më.

Megjithatë, zgjedhjet e vitit 2020 ishin të pazakonta. Shumë miliona vota u dërguan me postë me justifikimin e frikës nga epidemia, por ishte teknikisht e vështirë për të provuar nëse ato u dërguan nga vetë votuesit apo nga aktivistë partie që vepruan në emër të tyre. Si asnjëherë tjetër, procesi i numërimit u ndërpre në orët e para të mëngjesit dhe për herë të parë në historinë moderne rezultati nuk u shpall që atë natë.

Trump nuk e pranon humbjen asnjëherë. Do të kishte qenë një kryetar i përkryer edhe për partitë politike në Shqipëri. Kur u bënë zgjedhjet brenda Partisë Republikane në Ajua, në 2016, dhe fitoi Senatori Ted Cruz, Trump deklaroi se vota u manipulua dhe nuk e njohur rezultatin. Ky është një nga shtetet ku bëhet një prej numërimeve më të ndershme të mundshme në historinë e demokracisë së botës. Në kaukuset e këtij shteti, votohet hapur, më zë të lartë dhe pastaj grupet që dalin me më shumë vota fillojnë argumentojnë dhe joshin grupet më të vogla që t’u bashkohen, der isa krijohet një shumicë.

Të akuzosh këtë sistem për vjedhje votash duhet të jesh vërtet i papërgjegjshëm. Mirëpo, jo vetëm që Trump nuk u shpall që atëhere nga vetë republikanët si një bombë me sahat për besimin ndaj sistemit politik në SHBA por ohajuanët e votuan masivisht kandidaturën e tij katër dhe tetë vjet më vonë.

Ata që paralajmërojnë amerikanët se Trump mund t’i japë fund demokracisë në SHBA janë duke menduar për vitin 2028, por shumëkush mendon se janë thjesht duke trembur amerikanët që të mos votojnë lirisht.

Pas këtij debati, trumpistët janë të qetë, anti-trumpistët janë në alarm akoma edhe më shumë.

Megjithatë, dy gjëra janë të sigurta sot në politikën amerikane.

E para që miliona amerikanë do të dalin për të votuar për kandidatin Donald Trump edhe sikur të jetë në burg, apo edhe sikur t’i dalin sado skandale të tjera, apo si është shprehur vetë ai, “edhe sikur të vras dikë në mes të Avenusë së Pestë”.

Dhe e dyta që miliona amerikanë janë gati që më mirë votojnë për një njeri në koma, sesa për republikanin Donald Trump.

Por, demokratët kanë pak javë për të vendosur nëse do të provojnë vërtet të shkojnë në nëntor me një njeri që e ka vështirë të artikulojë edhe fjali shabllone, apo do t’i japin një gjysëmshansi të shpejtë demokracisë dhe do të votojnë për dikë tjetër në Konventë.

Presidenti Biden nuk po tregon shenja se ka ndërmend të tërhiqet, por presioni serioz kundër tij vetëm sa ka filluar. Sado që do të jetë vështirë të gjendet një figurë që do t’i bashkonte demokratët në një front të vetëm, ata duhet të dëshmojnë me vepra, jo vetëm me fjalë se besojnë te vota e lirë dhe të dëshmojnë më shumë besim te aftësia e popullit amerikan për të marrë vendimet e duhura.

Të ngjashme
OpEd • 30 Qershor 2024
OpEd • 28 Qershor 2024
OpEd • 27 Qershor 2024