Lajme
Pas BE-së edhe EULEX dënon plagosjen në veri të Kosovës
Demokracia
22:30 | 11 Prill 2023

Share:

Bashkimi Evropian ka thënë se dënon incidentin ku një serb i Kosovës u qëllua dhe u plagos mbrëmë në afërsi të postbllokut të Policisë në urën e Bistricës në Komunën e Zveçanit.

Kështu tha Zyra e BE-së në Kosovë në një shkrimi në Twitter. E njëjta deklaratë është shpërndarë edhe nga shefi i EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark.

Deri më tani janë suspenduar katër zyrtarë policorë për këtë rast. Fillimisht, Policia e Kosovës tregoi se nuk është e përfshirë në plagosjen e një personi të nacionalitetit serb.

Por më vonë, Policia lëshoi një komunikatë ku thuhet se një zyrtar policor është i implikuar në plagosjen e një serbi.

“BE-ja në Kosovë dënon incidentin e sigurisë në të cilin një serb i Kosovës u qëllua dhe u plagos mbrëmë në afërsi të postbllokut të Policisë së Kosovës në urën e Bistricës në komunën e Zveçanit/Zveçan”, thuhet në reagimin e zyrës së BE-së.

Për incidentin e ndodhur në veri të martën mbrëma ka reaguar edhe ambasada e ShBA-së në Kosovë.

Ambasadori Jeff Hovenier tha se ShBA-të janë të janë të shqetësuara për këtë incident.

Ai shkroi në Twitter se zyrtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet duhet të kryejnë një hetim të plotë dhe të besueshëm.

“Mbështetja e SHBA-së për institucionet e Kosovës për sundimin e ligjit avancon një vizion të përbashkët të një shteti demokratik dhe multietnik. Ata që janë përgjegjës për veprime kriminale duhet të mbajnë përgjegjësi”, shtoi Hovenier.

Të ngjashme