Lajme
Pas aksidentit tragjik në Kroaci, policia në Ferizaj takohet me përfaqësuesit e kompanive të transportit
Demokracia
12:16 | 28 Korrik 2021

Share:

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, përkatësisht Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, pas aksidentit tragjik që ndodhi Kroaci, ku u regjistruan 10 viktima nga Kosova dhe disa të tjerë u lënduan rëndë dhe lehtë, sot policia  i ftoi në një takim kompanitë  e transportit publik të udhëtarëve nga rajoni i Ferizajt.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, në këtë takim veç tjerash është diskutuar situata e sigurisë në komunikacion, e cila është vlerësuar të jetë e mbingarkuar nga qarkullimi i automjeteve në rrugë, ndërkaq është paraqitur nevoja që urgjent të merren masa, të nevojshme nga përgjegjësit e kompanive të transportit publik të udhëtarëve, me theks të veçantë, transportit ndërkombëtar për të shtuar kujdesin e tyre.

Nga policia, janë dhënë rekomandime, që kompanitë e transportit publik të udhëtarëve, të sigurohen se,  a kanë caktuar drejtues ( shoferë) të autobusëve me përvojë, të sigurohen se këta shoferë, a janë në gjendje të mirë shëndetësore, bazuar edhe në certifikatat e tyre mjekësore, siç është përcaktuar me ligj,  të sigurohen gjithashtu se a janë duke  i respektuar të gjitha rregullat dhe ligjet e komunikacionit rrugor, edhe sa i përket kohëzgjatjes së drejtimit të autobusit dhe a janë prezent edhe ndihmës shoferët, gjatë transportit në linjat ndërkombëtare,  si dhe masat tjera mbi gjendjen teknike të këtyre automjeteve.

Në fund të këtij takimi u dakorduan që të mbahet edhe një takim tjetër gjatë javës edhe me përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore nga fusha e transportit.

Policia kujtoi, se pas këtyre sugjerimeve dhe rekomandimeve, që ju dhanë përfaqësuesve të këtyre kompanive, do të marrë të gjitha masat e nevojshme, ku do të bëjë kontrolle të jashtëzakonshme të tyre, si për shoferët, ashtu edhe për gjendjen teknike të autobusëve dhe për ç’do parregullsi do të marrë masat adekuate sipas ligjit të komunikacionit rrugor, krejt kjo me qëllim parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor.

Të ngjashme