Lajme
Partitë takohen me bizneset dhe KESCO’n, akuzojnë ZRRE dhe AKK për ‘‘servilizëm’’ ndaj Qeverisë
Demokracia
17:07 | 21 Maj 2025

Share:

Sot, në kuvend, me iniciativë të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të mbështetur edhe nga deputetë të partive të tjera, është mbajtur një takim i përbashkët me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe KESCO-s,  me qëllimin për të diskutuar vendimin e ZRRE-s për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate të LDK-së, ku është shtuar se në takim kanë qenë të ftuar edhe ZRRE dhe Autoriteti i Konkurrencës, por që asnjëra prej tyre nuk kanë marrë pjesë.

‘‘Të rikujtojmë se ZRrE dhe AKK iu shmangën Kuvendit sot, por vetëm para dy ditëve ZRrE ka marrë pjesë në një takim me deputetët e LVV-së, por jo në Kuvend po në ndërtesën e Qeverisë. Ky nuk është profesionalizëm, ky është servilizëm. Institucionet nuk mund t’i ikin përgjegjësisë duke i ikur Kuvendit’’, thuhet mes tjerash në komunikatë.

Në njoftim shtohet se, megjithatë, takimi është zhvilluar ku edhe janë trajtuar çështje si: pasojat socio-ekonomike të vendimit për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar.

Po ashtu, në komunikatën e LDK-së theksohet se ata i kanë bërë kërkesë publike ndaj ZRRE-së dhe atyre që sot menaxhojnë me buxhetin e Kosovës që të gjejnë një zgjidhje, të anulojnë ose ta shtyjnë për një vit vendimin për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar.

Komunikata:

Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, me iniciativë të deputetëve të LDK-së, të mbështetur nga deputetë të partive të tjera në parlament, u mbajt takim i përbashkët me përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe KESCO-s, për të diskutuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike.

Në këtë takim të ftuar kanë qenë edhe ZRrE dhe Autoriteti i Konkurrencës (AKK), të dy këto institucione që me Ligj i raportojnë Kuvendit, fatkeqësisht nuk morën pjesë, duke shmangur përballjen me deputetët dhe publikun për vendime me pasoja të rënda ekonomike për vendin. Të rikujtojmë se ZRrE dhe AKK iu shmangën Kuvendit sot, por vetëm para dy ditëve ZRrE ka marrë pjesë në një takim me deputetët e LVV-së, por jo në Kuvend po në ndërtesën e Qeverisë. Ky nuk është profesionalizëm, ky është servilizëm. Institucionet nuk mund t’i ikin përgjegjësisë duke i ikur Kuvendit.

Takimi megjithatë u mbajt dhe trajtuam çështje si: pasojat socio-ekonomike të vendimit për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar, mungesa e konkurrencës reale në tregun e ashtuquajtur “të hapur”, u kërkua transparencë dhe përgjegjësi për interpretimin e dispozitave ligjore, sidomos Nenit 37. paragrafi 2. të Ligjit për Energjinë Elektrike, në bazë të të cilit KESCO jashtligjshëm është duke u përjashtuar rreth 1300 kompani nga shërbimi universal.

Përfaqësuesit e biznesit shprehën shqetësimet e tyre, sidomos për kompanitë prodhuese, të cilave ky vendim do u pamundësojë afarizim, sepse ngritja e çmimit të energjisë rritë koston e prodhimit duke i bërë këto ndërmarrje jokonkurrente në tregun vendor dhe ndërkombëtar, ndërsa tregtarët do t’i rrisin çmimet të cilat në fund i paguajnë qytetarët e vendit.

Takimi u mbyll me kërkesën publike ndaj ZRRE-së dhe atyre që sot menaxhojnë me buxhetin e Kosovës që të gjejnë një zgjidhje, të anulojnë ose ta shtyjnë për një vit vendimin për largimin e bizneseve nga tregu i rregulluar, deri në garantimin e një tregu funksional dhe konkurrues, në përputhje me ligjin dhe në interes të ekonomisë kombëtare.

Të ngjashme