Lajme
Partitë shqiptare në Luginë i drejtohen Kurtit: Fondet e qeverisë, tek njerëzit e afërt të këshilltares tuaj
Demokracia
17:36 | 30 Dhjetor 2022

Share:

Tri parti nga Lugina, me në krye kryetarin e Partisë Demokratike, Nagim Arifi, kryetarin e Lëvizjes së Progresit Demokratik, Jonuz Musliu dhe Ragmi Mustafa kryetar i PDSH—së kanë ngritur dyshime për korrupsion në ndarjen e 1.2 milionë eurove të ndara nga Qeveria e Kosovës për Luginën e Preshevës.

Në letrën drejtuar Kurtit, KKSh-ja ka thënë se përfituesit e projekteve të financuara nga Qeveria e Kosovës në Luginë, janë të lidhur ngushtë me anëtarë të komisionit dhe Ardita Sinanin, këshilltaren e kryeministrit Albin Kurti.

“Projektet që kanë fituar mjete financiare nga buxheti i Republikës së Kosovës, janë shpërndarë kryesisht strukturave të një partie politike, e të cilët mund të kontribuojnë në forcimin e partisë të cilës i takojnë, por jo edhe arsimit, kulturës, artit, e identitetit shqiptar në Luginë”, thuhet në letër.

Paparaci raportoi sot se dy njerëz të afërt me Ardita Sinanin, ish-kryetaren e Komunës së Preshevës dhe këshilltares së kryeministrit Albin Kurti, kanë përfituar direkt nga fondi i Qeverisë së Kosovës për Luginën.

Gani Veseli, anëtar i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe Donika Behluli, bashkëshortja e Fatos Hysenit, ish-anëtarit të Kabinetit të Ardita Sinanit, kanë përfituar rreth 100 mijë euro bashkërisht nga projekte të mbështetura financiarisht nga Qeveria e Kosovës.

Komunikata e plotë e Këshillit Kombëtar Shqiptar:

REAGIM NDAJ NDARJES SE MJETEVE FINANCIARE TE REPUBLIKES SE KOSOVES NEPERMJET KESHILLIT KOMBETAR SHQIPTAR

Ne, kryetarët e partive politike shqiptare në Luginë të Preshevës i drejtohemi Qeverisë së Republikës së Kosovës me këtë reagim me rastin e ndarjes së mjeteve financiare nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Në lidhje me konkursin publik “për përkrahjen financiare të projekteve të cilat bartin aktivitete dhe kontribuojnë në qëllimin e përgjithshëm të ruajtjes e kultivimit të gjuhës, artit, kulturës e identitetit shqiptar në Luginë të Preshevës”, i shpallur më 01 Nëntor 2022, respektivisht 12 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat u mbajtën më 13 Nëntor 2022, shprehim pakënaqësitë tona me ndarjen e këtyre mjeteve, për këto arsye:

Konkursi është shpallur gjatë fushatës zgjedhore për KKSh, dhe me këtë rast është favorizuar partia bartëse e institucionit t@ KKSh-së, gjë e cila ka ndikuar edhe në rezultatin zgjedhur;
Komisioni i formuar për përzgjedhjen e projekteve ka qenë një partiak, duke mos u konsultuar aspak me partitë tjera politike shqiptare dhe institucionet komunale;
Projektet që kanë fituar mjete financiare nga buxheti i Republikës së Kosovës, janë shpërndarë kryesisht strukturave të një partie politike, e të cilët mund të kontribuojnë në forcimin e partisë të cilës i takojnë, por jo edhe arsimit, kulturës, artit, e identitetit shqiptar në Luginë;
Disa nga përfituesit nga ky projekt janë të lidhur ngushtë me eksponentë të Komisionit përzgjedhës dhe këshilltares së zgjedhur nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me ç’rast ngrehim dyshimet tona për elemente të korrupcionit;
Jemi skeptik se projektet do të implementohen, përshkak se ka disa organizata gë janë hapur një ditë para shpalljes së konkursit, e disa tjera pak para mbylljes së konkursit. Një dyshim tjetër për korrupcion, meqë përfaqësuesit e këtyre organizatave paraprakisht e kanë ditur gë do të jenë përfitues të granteve;
Të gjitha këto arsye të lartëshënuara na bëjnë të reagojmë se këto mjete e gë janë të taksapaguesve të Republikës së Kosovës janë destinuar për keqpërdorim, e më së paku për ruajtjen e kultivimit të gjuhës, artit, kulturës dhe identitetit shqiptar në Luginë të Preshevës, si shtylla kryesore të Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Ju kujtojmë, se komuna e Bujanocit iu ka drejtuar Qeverisë së Republikës së Kosovës tri herë me kërkesa gjatë vitit 2022 për shfrytëzimin e mjeteve financiare nga buxheti i Republikës së Kosovës, të cilat kanë pasur të bëjnë me rregullimin e tereneve sportive nëpër shkolla në territorin e Komunës së Bujanocit, aftësimin profesional të të rinjëve, subvencionimit të bizneseve, blerjen e një autoambulance për Malësinë e Bujanocit si dhe rregullimin e Zonës Industriale në Bujanoc.

Të gjitha këto kërkesa janë anashkaluar. Eshtë mospërfillur institucioni që përfaqëson të gjithë qytetarët e një komune, dhe përparësi i është dhënë një subjekti politik.

Ne kërkojmë nga komisioni që të rishqyrtojnë projektet dhe të vendoset në bazë të meritokracisë. Përndryshe do ta kuptojmë se edhe vet komisioni është i përfshirë në këtë skandal. Për ne është e papranueshme të qytetarët tanë të përfshihen në afera të tilla, dhe përmes tyre të bëhet shpërlarja e parave.

Të ngjashme