Lajme
Partia shqiptare në Maqedoni propozon Asociacion siç do Serbia në Kosovë
Demokracia
19:21 | 25 Shkurt 2023

Share:

Sekretari i Përgjithshëm i partisë “Alternativa” në Maqedoninë e Veriut, Zeqirija Ibrahimi, ka propozuar që në këtë shtet të niset Asociacioni i komunave me shumicë shqiptare, njëjtë siç po bëhet thirrje që në Kosovë të bëhet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Reciprocitet edhe në Maqedoninë e Veriut”, ka shkruar ai në një shkrim në Facebook të shtunën. Ai ka ngritur pyetjen se përse edhe partitë shqiptare në Maqedoni nuk nisin iniciativën për themelim të një Asociacioni të tillë, duke marrë për bazë presionin që perëndimorët po ia bëjnë Kosovës për një Asociacion të komunave me shumicë serbe.

“Ta fillojmë nismën “Asociacioni i Komunave më Shumicë Shqiptare në Maqedoninë e Veriut!” Në kohën që Kosova gjendet para marrëveshjes finale për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe kur secili diplomat perëndimor që vjen në Prishtinë e përsërit refrenin ‘të bëhet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë!’, pyetja që duhet të shtrohet është se pse partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ato që kanë komuna (BDI, ASH dhe BESA), nuk e ngrenë një iniciativë për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Maqedoninë e Veriut po me ato kompetenca që bashkësia ndërkombëtare kërkon t’i ketë Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Asgjë më shumë. Vetëm aq”, ka shkruar ai. “Ata që e kërkojnë këtë nga Kosova janë aleatët tanë perëndimorë, andaj kjo njësi i bie të jetë në frymën e vlerave perëndimore. Shumë mirë atëherë. Ta bëjmë edhe ne në Maqedoninë e Veriut një Asociacion në këtë frymë perëndimore!”

Ai ka thënë se kjo mund të jetë kauza që i bashkon të gjitha partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut.

Sipas tij, “mbase kështu mund të arrihet edhe te tema e reciprocitetit gjuhësor mes shqipes në Maqedoninë e Veriut dhe serbishtes në Kosovë”.

Alternativa, e udhëhequr nga Afrim Gashi, ka tre deputetë në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut.

Të ngjashme