Partia Popullore e Zvicrës (SVP) është partia më e madhe politike e këtij vendi. Dikur parti që përfaqësonte kryesisht interesat e bujqve, SVP në 30 vitet e fundit është shndërruar në një grup politik që “biznes” kryesor ka ashpërsimin e ligjeve ndaj të huajve dhe organizimin e fushatave kundër të huajve, sidomos shqiptarëve.
Agresioni rus kundër Ukrainës ka shpalosur edhe më shumë një anë të neveritshme të SVP-së: simpatinë e disa eksponentëve të saj, por edhe shumë votuesve të SVP-së, për Vlldimir Putinin.
Një anketë tregoi se 40 për qind e simpatizantëve të SVP-së e përqafojnë këtë mendim: “E dënoj luftën, por mund t’i kuptoj motivet e Putinit”. 6 për qind madje thonë: “Unë simpatizoj Putinin dhe palën ruse”.
Njëri nga propagandistët më të zëshëm të Putinit në Zürich është Roger Köppel, deputet i SVP-së, pronar dhe kryeredaktor i revistës djathtiste “Weltwoche”, e cila rregullisht boton shkrime kundër pavarësisë së Kosovës apo shqiptarëve në përgjithësi.
Mund të duket e pabesueshme, por ka shqiptarë në Zvicër që hapur e simpatizojnë SVP-në. Në vitin 2017 një gazetë e Zvicrës qendrore portretizoi një kosovare, e cila me krenari tregonte se është anëtare e SVP-së. Në nivele lokale ka pasur edhe kandidatë shqiptarë të SVP-së.
Logjika e shëndoshë nuk e shpjegon dot këtë angazhim politik. Çka i bashkon këta shqiptarë me SVP-në? Botëkuptimi konservator, kryesisht.
Supozohet se në Zvicër jetojnë rreth 100 mijë shqiptarë me të drejtë vote. Një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk marrin fare pjesë në zgjedhje dhe referendume.
Simpatia e eksponentëve të SVP-së për Putinin dhe shkrimet e shpeshta kundër Kosovës dhe shqiptarëve në mediat e afërta me SVP-në, do të duhej të ishin motiv shtesë për shumë shqiptarë që të marrin pjesë në jetën demokratike të Zvicrës dhe të votojnë për parti të ndryshme, me përjashtim të SVP-së.
Propagandisti zviceran i Putinit, Kosova dhe një thes me të pavërteta
Në numrin e fundit të fletushkës së tij «Weltwoche» deputeti i djathtë dhe publicisti popullist zviceran Roger Köppel, mes tjerash, merret edhe me Kosovën: «Sikur e drejta ndërkombëtare do të ishte zgjidhja e të gjitha problemeve, nuk do të kishte më luftë.
Kur në vitet 90-të Kosova shpalli pavarësinë, NATO e sulmoi Jugosllavinë e mbetur sovrane për të mbrojtur të drejtën e vetëvendosjes të kosovarëve. Shkelja e të drejtës ndërkombëtare u arsyetua me evitimin e ‘gjenocidit’, për të cilin deri më sot mungojnë dëshmi».
Në këtë copëz shkrim ka aq shumë të pavërteta. Kosova e shpalli pavarësinë më 2008, jo në vitet 90-të. Intervenimi ndodhi për të evituar gjenocidin dhe duke pasur parasysh gjenocidin e kryer në Srebrenicë (Bosnjë) më 1995.
Në dy rezoluta (1160 dhe 1199) të miratuara më 1998, OKB nuk përjashtoi përdorimin e forcës kundër regjimit serb nëse vazhdon represionin në Kosovë. Gjendja në Kosovë u klasifikua si rrezik për paqen botërore. Të dy rezolutat i vitoi edhe Rusia, atëbotë.
NATO nuk ndërhyri në Kosovë për të “të mbrojtur të drejtën e vetëvendosjes të kosovarëve”, hyri për të shpëtuar një popull nga krimet masive shtetërore të Beogradit dhe për t’i hapur rrugë një procesi politik që do të çonte në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës.
Në atë proces pala kosovare ishte treguar kooperative. Më 2005 shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit (përfshirë Rusinë) thanë se nuk do të ketë kthim të Kosovës në situatën para vitit 1999. Kështu u hap rruga për negociatat e Vjenës dhe procesin e pavarësisë./javanews.al/