Lajme
Partia monarkike serbe pretendon se Veselinoviqi po ua kërcënon anëtarët nëpër komunat e Kosovës
Demokracia
13:30 | 14 Shkurt 2023

Share:

Lëvizja për Rimëkëmbjen e Mbretërisë së Serbisë, parti me orientim monarkik, ka pretenduar se anëtarët e saj po sulmohen dhe kërcënohen nga krimineli Zvonko Veselinoviq nëse nuk heqin dorë nga subjekti politik në fjalë.

Siç raporton Danas, Veselinoviq në bashkëpunim me partinë e Vuçiqit kanë realizuar sulme të shpeshta ndaj anëtarëve të POKS dhe familjarëve të tyre. Kësisoj, ky subjekt politik ka marrë vendim të vazhdojë punën ilegalisht nëpër komunat me shumicë serbe në Kosovë, përcjell Demokracia.com.

“Bandat e shfrenuara rrugore të Zvonko Veselinoviqit, të nxitura nga SNS, po sulmojnë pjesëtarët e POKS-së në Mitrovicë, Zveçan, Vitinë dhe Shtërpcë, duke i kërcënuar një nga një se ata dhe familjarët e tyre do të shkarkohen nga puna nëse nuk largohen. POKS-së do t’u digjen veturat dhe pasuritë tjera të luajtshme dhe të paluajtshme”, thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Është thënë se rasti i fundit që ka çuar në këtë vendim ka qenë kërcënimi ndaj nënkryetarit të POKS-së, Mirko Gliba, i cili do të përfundojë “si gruaja e tij”, e cila u largua nga puna.

“Secili anëtar i POKS-it i cili ishte në objektin e partisë në Mitrovicë në takimin e 28 janarit është kontaktuar pas disa ditësh nga një anëtar i bandës së Zvonko Veselinoviqit me të njëjtën pyetje se pse ka marrë pjesë në mbledhje dhe me kërcënim. Për këtë, POKS do të mbyllë zyrat e saj për të mos e ekspozuar më tej anëtarësinë ndaj sulmeve nga kriminelët që janë në shërbim të SNS-së”, përfundon njoftimin ky subjekt politik. /Demokracia.com/

Të ngjashme