Lajme
Parregullsi në Universitetin “Haxhi Zeka”, favorizohet në punësim mikja e kryesueses së Këshillit Drejtues
Demokracia
10:56 | 18 Qershor 2022

Share:

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë po dyshohet se e favorizoi në punësim Rita Mazrekajn, miken e kryesueses së Këshillit Drejtues të këtij universiteti, Majlinda Belegu.

Shkuarja në pushim të lehonisë e asistentes së Këshillit Drejtues të këtij universiteti ka bërë që “Haxhi Zeka” të shpallë konkurs për zëvendësim të saj.

Për ta zëvendësuar asistenten e Këshillit Drejtues është pranuar Rita Mazrekaj, e cila rezulton të jetë mike e mirë e kryesueses së KD-së së këtij universiteti, Majlinda Belegut, shkruan Demokracia.com.

Afërsia mes tyre mund të vërehet edhe nga fotografitë e përbashkëta që kryesuesja Belegu dhe asistetja Mazrekaj i kanë publikuar në rrjetet sociale.

Fotografia: Majlinda Belegu, kryesuese e KD-së dhe e pranuara në punë Rita Mazrekaj

Në konkursin e shpallur më 19 prill për pozitën “Zyrtar Ekzekutiv i Këshillit Drejtues”, testin me shkrim e kaluan pesë kandidatë. Më së shumti pikë kishte kandidatja Rita Mazrekaj, kurse më së paku Blerina Boqolli.

Nga njoftimi i publikuar prej Universitetit “Haxhi Zeka” del se Rita Mazrekaj ka marrë 169 pikë, Berat Gegaj -146 pikë,  Klementina Kelmendi – 126 pikë, Fillojeta Kuqi – 120 pikë dhe Blerina Boqolli – 73 pikë.

Disa ditë pas testit me shkrim ishte mbajtur edhe një intervistë. Edhe në intervistë pikët maksimale i kishte marrë Rita Mazrekaj, mikja e kryesueses së Këshillit Drejtues të këtij universiteti. Ajo u emërua të mërkurën në këtë pozitë.

Në vendimin për përzgjedhjen e Mazrekaj thuhet se ajo ka 169 pikë në listën definitive.

“Komisioni i themeluar nga u.d Sekretari i Përgjithshëm i Universitetit në bazë të vendimit nr.841 dt.19.04.2022, pas testimit me shkrim dhe intervistës së aplikuesve për pozitën e shpallur për plotësimin e vendit të punës Zyrtar Ekzekutiv i Këshillit Drejtues në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, bëri përzgjedhjen e aplikuesit me më së shumti pikë Rita Mazrekaj, e cila ka 169 pikë në listën definitive. Andaj, u vendos si në dispozitiv të këtij vendimi”, thuhet në vendim, përcjell Demokracia.com.

Kurse, në konkursin për zyrtar për çështje studentore në Fakultetin Juridik është pranuar Genc Hyseni, shkruan Demokracia.com.

Në vendimin për pranimin e tij thuhet se ai ka arritur 157 pikë.

Dyshimet për favorizimin e Mazrekajt i shtojnë edhe më tepër parregullsitë e tjera në konkursin për zyrtar ekzekutiv të Këshillit Drejtues dhe zyrtarin tjetër për Çështje Studentore.

Njëri prej kandidatëve ka konfirmuar për Demokracia.com se gjatë intervistës ka munguar një nga katër anëtarët e komisionit.

Konkursi dhe procedurat janë zhvilluar gabim sipas udhëzimit administrativ. Procedura, në këtë rast duhej të bazohej në Rregulloren për Pranimin dhe Karrierën në Shërbimin Civil.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me rektorin e këtij universiteti, Armand Krasniqin.

Krasniqi ka thënë se lidhur me këtë konkurs ka biseduar me sekretarin e universitetit.

“Autoritetin dhe përgjegjësinë komplete rreth këtyre procedurave i ka Sekretari i Universitetit. Unë e pyeta sekretarin se çka është kjo çështje edhe më tha: Sipas mendimit tim dhe komisioneve e kemi zhvilluar procedurën në përputhje me të gjitha rregullat në fuqi. Prandaj tha nuk e shoh asnjë gabim, qoftë në formimin e komisioneve, qoftë në vendimet që i kemi marrë dhe më tha që me përgjegjësinë më të madhe e kemi poentuar dhe propozuar për tu zgjedhur një kandidate, që nuk ia di emrin”, tha Krasniqi për Demokracia.com.

Krasniqi ka thënë se e ka paralajmëruar edhe sekretarin se në rast se evidentohet ndonjë parregullsi, do të marrë masa ndaj tij.

“Nëse eventualisht, që ka dikush ankesa në këtë procedurën e ankimimit apo edhe gjykatë, që ka me dalë ndonjë vendim që ka pasur shkelje, unë i thashë që do të marrë masa dhe ju do të jepni përgjegjësi. Nëse eventualisht ka me dalë diçka që nuk është ose në planin etik apo ligjor, unë do të marrë masa”, shtoi Krasniqi.

Demokracia.com ka tentuar të kontaktojë edhe me kryesuesen Belegu, por ajo nuk u është përgjigjur thirrjeve telefonike. /Demokracia.com/

Të ngjashme