Lajme
Parlamenti gjerman zgjat mandatin e ushtarëve të saj në Kosovë
Demokracia
09:53 | 28 Qershor 2024

Share:

Ushtarët gjermanë do të marrin pjesë për një vit tjetër në praninë ndërkombëtare të sigurisë të udhëhequr nga NATO në Kosovë (KFOR). Kjo u miratua nga Bundestagu të enjten, më 27 qershor 2024, në një votim emëror me 535 vota pro, 91 kundër dhe dy abstenime.

Në fillim të seancës, deputetët përshëndetën me ovacione të gjata disa nga veteranët e luftës së Kosovës që ishin të pranishëm në tribunë, ndër ta edhe ish-komandanti i KFOR-it, Roland Kather. Më parë në Parlament kishte pasur një debat afro 40-minutësh.

Boris Mijatovic (Të Gjelbrit) theksoi nevojën e misionit të KFOR-it si një stabilizues në rajon për 25 vjet dhe lavdëroi angazhimin e ushtarëve.

Ai kritikoi politikën nacionaliste të Vuçiqit dhe politikanëve të tjerë që nxisin tensione dhe vuri në dukje rëndësinë e KFOR-it për sigurinë.

“Politika e tij nacionaliste paraqet një rrezik të qëllimshëm për rajonin. Ushtria serbe në kufi me Republikën e Kosovës nuk është rastësi dhe as shenjë e qëllimeve paqësore,” tha deputeti i të Gjelbërve, duke kujtuar se tonet në rajon sa vijnë e bëhen edhe më nacionaliste.

Michael Roth, kryetar i Komitetit të Jashtëm të Bundestagut, kërkoi që Bashkimi Evropian t’i japë fund politikës së qetësimit ndaj Serbisë dhe të forcojë demokracinë dhe shtetin ligjor.

Roth shprehu zhgënjimin e tij që Kosova ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës.

“Jam shumë i zhgënjyer që dëshira e madhe e grupit tim parlamentar, mbështetur nga grupet parlamentare të koalicionit dhe CDU/CSU, nuk u mor parasysh dhe Komiteti i Ministrave, pra qeveritë, jo deputetët, që na përfaqësojnë në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, refuzuan të miratojnë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.”

 

Të ngjashme