Lajme
Paraqitja e dhimbshme e Gërvallës dhe keqardhja e Escobar-it: Kosova qorton BE-në për qëndrime “si më 1939”
Demokracia
13:10 | 09 Korrik 2023

Share:

Një paraqitje jashtëzakonisht e dhimbshme për t’u parë e dëgjuar ngjau dje në Dubrovnik, ku ministrja kosovare e jashtme, Donika Gërvalla, fyu dhe qortoi (sërish) unionin 27 shtetësh evropianë drejtpërsëdrejti dhe tërthorazi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ishte e padëgjuar më parë që një kryediplomate e një shteti, ekzistenca dhe qenësia e të cilit varet nga po ky rrjet shtetesh, ta dënonte gjysmën e hemisferës së botës për impotencë. Ata që ishin aty, thjesht u shtangën nga çfarë po ju dëgjonin veshët. Por, edhe do të kishte reagim. Keqardhja në mënyrë të hapur u shpreh nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqësuesi i të cilës, tha se i vjen “keq” që “dallon” nga Kosova, që përkthyeshëm i binte edhe se i vjen “keq” që Kosova po dallon nga i mbarë Perëndimi. Ta lexojmë këtë paraqitje thellësisht të dhimbshme të Gërvallës.

Pa pikë nevoje dhe pa pikë sensi, ajo do të shqiptonte sllogan të dikatorit më famëkeq mbase në histori, Mao Zedong, për të ilustruar, sipas saj, atë që është BE-ja. “Tigër prej letre”, tha ajo, “është BE-ja” duke folur për gjoja “në terma sigurie”. Këtu do të binte heshtje keqardhëse tek panelistët.

“Një çështje kyçe për sigurinë e Ballkanin Perëndimor është – dhe këtë pyetje ia shtrojmë vetes – a mundet Bashkimi Evropian, dhe a është Bashkimi Evropian uniteti, unioni që mund të garantojë sigurinë dhe paqen në Evropë? Vlerësimi është që BE nuk mundet”, do të thoshte Gërvalla. Këtë, tha ajo, e thotë edhe një “analist gjerman”.

Dhimbja veç shkon e thellohet. Bashkimi Evropian, tha ajo, “nuk është i aftë dhe nuk mundet të jep siguri”.

“Arsyet janë të qarta: nuk ka vullnet politik; shumë pabashkësi në union; dhe pa SHBA-në dhe NATO-n, BE-ja është tigër prej letre në terma sigurie”.

Duke u lëshuar krejtësisht në autopilot të pamençurisë diplomatike, Gërvalla, do ta çonte tej e më tej fyerjen.

“Dhe, për shkak se BE e di këtë (që është tigër prej letre) i kthehet ‘të marrit me të mirë’ përsëri e përsëri. Por, kjo është e rrezikshme. Të marrit me të mirë Putinin e ftuan atë të përshkallëzojë, dhe BE me të marrin me të mirë të aktorëve agresivë në rajonin tonë po ftojnë autokratët për të përshkallëzuar gjendjen më tej; që ta testojnë Perëndimin e mbase të nisin edhe luftë”.

BE është krejtësisht e “shkymur” ndaj realitetit, tha ajo.

Çfarë (s’)po bën BE-ja, do të vazhdonte Gërvalla në pamendësi totale, tha është e njëjtë me vitet “1939”, do të thotë duke krijuar paralele me pasivitetin perëndimor ndaj luftërave që do të niste diktatori gjerman Adolf Hitler.

S’është sefte kjo, do të vazhdonte Gërvalla.

“Nuk është ky qëndrim i ri i fuqive perëndimore, por si më 2014, 1939, 1991, 1992, 1999. Nuk ka storje suksese në BE-në që provon të parandalojë luftën”.

Këtu do të ndalonte për të sulmuar tërë diplomacinë evropiane dhe amerikane në Prishtinë. “Duhet strategji e re, njerëz të ri që shohin për mënyra më të mira”, tha Gërvalla duke i goditur në rend të gjithë ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Prishtinë.

Është “katastrof”, tha ajo, duke folur për ndërmjetësusesit, që brenda dy viteve të kenë rënë “kaq shumë” në besueshmërinë e tyre në Kosovë.

“Nuk e shohim ne BE-në si një lopë me para për ta mbjelur”, tha Gërvalla, duke provuar të shënojë dallim me atë se çfarë bën Serbia. “Ne jemi te interesuar në vlerat evropiane, jo paratë”.

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, do të djerësitej nga kjo çfarë po dëgjonte. S’mundi, megjithatë, të mos i reagonte Gërvallës.

“Më vjen keq”, tha ai, “që më duhet të dallojë” nga Gërvalla, do të thoshte emisari amerikan, që përkthyeshëm lexohej edhe se “më vjen keq” që duhet Kosova të dallojë nga ShBA.

“Gjithçka pozitive që ka ndodhur në Ballkan gjatë kësaj gjenerate të fundit ka qenë kombinim i bashkëpunimit amerikano-evropian”, ia rikujtoi Escobar Gërvallës, ndonëse një kryediplomate e një shteti i cili është krijuar nga ky bashkëpunim amerikano-evropiane do të duhej ta dinte më së miri, shkruan Nacionale.

E këtu Escobar vazhdoi leksionin: “NATO është elementi fondamental i mbajtjes së paqes brenda vetë Kosovës”.

Diplomati amerikan do t’ia shënonte një dallim fytyrës Gërvallës, se teksa u ligjëronte krejt botës për paqe, siguri dhe stabilitet, saktësisht qeveria të cilës i përket bën të kundërtën. Ia dha drejtpërsëdrejti se i përket një qeverie “nacionaliste, populliste” dhe që konsumohet në “rivalitete etnik”.

Tre shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, ata që janë në NATO, përkatësisht Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, “janë shumë më mirë”, tha Escobar.

“Rajoni është rajon me dy binarë. Njëri binar duke qenë ata që janë në NATO, që janë shumë më stabile, që janë kontribues neto të stabilitetit rajonal dhe janë fuqishëm në rrugën e integrimit evropian”, tha Escobar.

“Dhe, binari tjetër janë ata që po e konsumojnë vëmendjen dhe resurset e pjesës tjetër të rajonit derisa ata luftojnë me sfidat e tyre. Dallimi kyç është se vendet që janë në NATO dhe kanë bërë progresin më të madh janë ata që i kanë tejkaluar sfidat e rivalitetit etnik; dhe ata që vazhdojnë të kenë lidership që besojnë popullizmi, nacionalizmi dhe rivaliteti etnik janë rruga para janë ata që kanë parë sfidat më të mëdha”, tha Escobar.

ShBA dëshiron që këto 3 vende tjera, destabilizuese, t’i bëjë si ato tri tjerat që janë në NATO dhe i kontribuojnë stabilitetin.

Të ngjashme