Lajme
Paralajmrimi i Macronit per vizat, alarmon opozitën: S’duhet humbur shansi për liberalizimin
Demokracia
23:04 | 28 Gusht 2023

Share:

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron në fjalimin e tij para ambasadorëve, teksa ka folur për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ka paralajmëruar masa ndaj palëve nëse nuk veprojnë me përgjegjësi. Deklarata e tij vjen në kohën e paralajmërimeve për rikthim të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti francez ka përmendur çështjen e vizave dhe çështje të tjera ekonomike si zotime që mund të rishikohen nëse palet nuk sillen me përgjegjësi.

Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.” – ka thënë Macron.

Në lidhje me paralajmrimet e Macronit ka reaguar opozita, e cila e këshillon dhe e paralajmëron kryeministrin Kurtin të mos e rrezikojë lëvizjen e lirë për kosovarët.

Këshilla dhe paralajmërimi

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka komentuar deklarimin e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, duke i ofruar një këshillë miqësore kryeministrit Kurti.

Çitaku ka thënë se këto deklarime duhet të merren seriozisht nga Qeveria e Kosovës.

Sipas saj, këto deklaratë rikonfirmojnë qëndrimin e BE-së që koha e fjalëve dhe këshillave tashmë ka kaluar.

Deklarata e Presidentit Macron për rishikim të politikave të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse palët nuk sillen me përgjegjësi, duhet të merret seriozisht nga Qeveria.

Kjo deklaratë rikonfirmon qëndrimin e BE-së, se koha e fjalëve dhe këshillave tashmë ka kaluar”, ka thënë fillimisht Çitaku.

Pas masave konkrete të BE-së kundër Kosovës, pas zhvillimeve të fundit politike në vend, rishikimi i liberalizimit të vizave për qytetarët do tanë do të ishte tejet dëshpërues.

Më pas, ish-ambasadorja ka një këshillë për kryeministrin Kurti, duke theksuar kujdesin për liberalizimin e vizave.

Prandaj, përtej kritikës dhe politikës ditore, kjo është një këshillë për Qeverinë. Askush nuk po iu kërkon të veproni kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve tanë.

Përkundrazi, kuptojeni drejtë paralajmërimin e Presidentit Macron, veproni me përgjegjësi dhe mos ua cenoni lirinë e lëvizjes qytetarëve të Kosovës – të merituar dhe të pritur prej shumë vitesh!”, ka shkruar tutje ajo.

Lidhur me paralajmërimin e presidentit francez ka reaguar edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, njëherësh kryetare e Komisionit për Integrime.

Krasniqi për Gazetën Blic, ka thënë se është fatkeqësi nëse shqyrtohet pozicioni i vendeve të BE-së për liberalizimin e vizave.

Është fatkeqësi për vendin në rast se arrijmë tek një situatë e tillë për shqyrtimin e pozicionit të vendeve të BE-së lidhur me liberalizimin e vizave për vendin, por nëse kjo ndodh përgjegjësia bie tek qeveria Kurti e cila me aventurat e saj, po i sjellë vetëm të këqija vendit, siç kishim deri më tani sanksionet, si rezultat i veprimeve të pakoordinuara dhe të menduara mirë në pjesën veriore të vendit. E ritheksoj, është dëm i jashtëzakonshëm nëse krijohet opinion i tillë brenda vendeve të BE-së që të ketë shtyrje në çështjen e liberalizimit të vizave”, vlerëson ajo.

Tutje, ajo ka thënë se nuk do të lejojnë që Kurti t’ia humb edhe një mundësi qytetarëve të Kosovës për lëvizje të lirë, sikur në vitin 2015.

Nuk do të lejojmë që ky njëri t’ia humb edhe një shans të dytë qytetarëve të vendit lëvizjen e lirë, sepse siç e dini një të tillë ua kishte humbur në vitin 2015, në kohën e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, marrëveshje të cilën e pat kundërshtuar atëkohë”, deklaron deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Të ngjashme