Lajme
Paralajmëron Edita Tahiri: Rrezik që Kurti të dalë me “Republika Srpska” nga takimi me Vuçiq
Demokracia
22:46 | 28 Prill 2023

Share:

Me 2 në Bruksel do të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Në takimin që do të mbahet në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i dërguari i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se do të prezantohet draft statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Lajçak ka thënë se Asociacioni nuk do të jetë jashtë modeleve evropiane.Lidhur me këtë takim, në një prononcim për Gazeta Blic, ish kryenegociatorja e dialogut, Edita Tahiri, thotë se Vuçiq do të kërkojë kompetenca ekzekutive për Asociacionin, me qëllimin për një “Republika Srpska”, për të krijuar “Serbinë e madhe”, që është projekt rus.

“Mendoj se Vuçiqi do të luajë me kartën gjeopolitike, duke kërkuar kompetenca për ekzekutive për Asociacionin ne kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, me qëllime djallëzore për të nxjerrë një “Republika Srpska” nga ky takim për të çuar përpara krijimin e “Serbisë Madhe” përkatësisht “botën serbe”, që është projekt i nxitur nga Rusia”, shprehet ajo.

Sipas Tahirit, Kurti nuk ka aftësi që t’i përgjigjet Vuçiqit në favor të Kosovës dhe ka rrezik që Kurti të dalë me një “Republika Serbe” nga ky takim, të cilën do ta mohojë ashtu siç ka bërë me Asociacionin.

“Ndaj këtij skenari Kurti nuk shoh se ka aftësi për t’ju përgjigjur me kartë gjeopolitike në favor të Kosovës dhe shqiptarëve, kjo për arsye se Kurti bëri të gjitha lëshimet në dëm të Kosovës në këtë dialog, sepse ai pranoi marrëveshja pa njohje reciproke ndërsa pranoi asociacionin plus i dhe pakicës serbe autonomi (në kuadër të vet-menaxhimit). Ka rrezik që Kurti të dalë me një “Republika Serbe” nga ky takim, pastaj do të vazhdojë ta mohojë siç mohoi asociacionin, pastaj e pranoi”, vlerëson Edita Tahiri.

Ajo shton se rrezik tjetër është që Kurtin nuk ka kush ta pengojë të dështojë, pasi njerëzit në VV nuk brengosen për Kosovën.

“Po ashtu, rreziku është që Kurtin nuk ka kush ta pengojë që të dështojë, për arsye se njerëzit e subjektit tij politik nuk merren me këto gjëra serioze, as nuk kanë njerëz të aftë as nuk brengosen, e vetmja gjë që brengosen këta të VV-së është të bëjnë deklarata që ushqejnë egon e liderit të tyre; ata e kanë të parin liderin e tyre, ndërsa Kosovën të fundit”, thekson ajo.

Tahiri thotë se Kurti pasi e bëri draft statutin e asociacionit para qytetarëve dhe opozitës, tani do ta negociojë atë me Vuçiqin, që janë dy shkelje të rënda të Kushtetutës dhe sovranitetit të Kosovës.

“Mjerisht ky është realiteti. Kurti e bëri draft statutin e asociacionit pas syve të qytetarëve dhe opozitës, ndërsa tash do ta negociojë me Vuçiqin, duke negociuar çështje të brendshme me Serbinë, që përbëjnë dy shkelje të rënda të kushtetutës dhe sovranitetit të Kosovës”, potencon ish kryenegociatorja e dialogut.

Lidhur me pritjet se nga ky takim do të nis zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, Tahiri është e mendimit se SHBA nuk do të lejojë që të dominojë agjenda serbo-ruse, ndërsa nga BE nuk pret asgjë pasi ajo po hesht për të bëmat e Serbisë.

Të ngjashme