Lajme
Paralajmërohet kallëzim penal ndaj Kurtit, deklaroi rrejshëm se është veteran i luftës
Demokracia
15:17 | 31 Mars 2022

Share:

Partia Socialdemokrate e Kosovës ka mbajtur sot një aksion para Qeverisë së Kosovës lidhur me sulmet që kryeministri Albin Kurti po ua bën veteranëve.

Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, përmes një konference për media ka thënë se kryeministri Kurti ka kundërshtuar luftën e UÇK-së, ka akuzuar dhe përbaltosur ushtarët e saj, raporton Demokracia.com.

“Kryeministri i Kosovës e ka nisur një fushatë për çështjen e veteranëve. Prej që ekziston kjo çështje janë dy grupime kryesore që e kanë trajtuar këtë çështje. Janë ata që e kanë kundërshtuar luftën e UÇK-së, i kanë akuzuar ushtarët e UÇK-së, i kanë përbaltosur ata dhe të cilët e përdorin një keqpërdorim që ka ndodhë nga disa veteranë të rrejshëm për ta sulmuar këtë çështje. Janë një grup i dytë, vetë luftëtarët që kanë luftuar, mbështetësit e luftës, që kanë pas po ashtu kritika për manipulimet që kanë ndodhë. Kurti bën pjesë në grupin e parë”, ka thënë Molliqaj, raporton Demokracia.com.

Ai ka konfirmuar se javën tjetër do të dorëzohet kallëzim penal ndaj Kurtit, pasi që vetë ai është veteran i rrejshëm.

“Ne në fillim të javës do të bëjmë kallëzim penal për falsifikimin që e ka bërë në këtë proces. Kryeministri është veteran i rrejshëm. Ky që është veteran i rrejshëm po i sulmon ata të vërtetë. Ai e di që është bërë veteran i rrejshëm edhe ka deklaruar jashtëligjshëm”, tha Molliqaj.

Kryeministri Albin Kurti, ditë më parë ka paralajmëruar një riverifikim të listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Sipas tij, në Kosovë nuk janë as mbi 20 mijë veteranë./Demokracia.com/

Të ngjashme