Lajme
Paralajmërohet aplikimi i dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19
Demokracia
07:55 | 29 Gusht 2021
Foto Ilustrim

Share:

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka deklaruar se virusi nuk do të zhduket dhe se pret që do të ketë edhe valë të tjera të përhapjes së pandemisë. Ai ka njoftuar se kanë filluar negociatat për sigurimin e dozës së tretë të vaksinës, në rast se do të jetë nevoja për një shpërndarje të tillë. Vitia ka bërë të ditur që nga java e ardhshme do të rekrutohen mbi 400 profesionistë shëndetësorë. Pas datës 13 shtator, ai ka theksuar se punonjësit në sektorin publik nuk do të lejohen të hyjnë brenda institucioneve pa certifikatën e vaksinimit ose testin PCR.

Pas vendimit për masat e reja anti-COVID, ministri Arben Vitia në një konferencë për media, u zotua se Kosova ani pse filloi vaksinimin shumë vonë, tanimë ka kaluar disa vende në ballkan me përqindje të vaksinimit.

“Jemi vendi që në javë po vaksinon më shumë se të gjithë fqinjët e rajonit. Duke vazhduar me këtë ritëm, në fund të vitit do të tejkalojmë synimin tonë për vaksinimin e 60 për qind të qytetarëve. Kjo do të parandalojë valët tjera dhe dhimbjen me të cilën po përballemi edhe në këtë valë. Është e domosdoshme që të mos vuani ju dhe familje tuaja, që të mos mbyllet ekonomia, që të mos mbesin fëmijët pa shkuar në shkolla. Ky virus do të na shoqërojë edhe për një kohë të gjatë, por vaksinimi na mbron prej tij. Megjithatë, kemi parë që në disa vende përkundër vaksinimit masiv të qytetarëve, efekti mbrojtës i vaksinave duket se është diku rreth 7-8 muaj, pavarësisht se nuk ka akoma studime të qëndrueshme në këtë drejtim”, ka deklaruar Vitia.

Ai në konferencë për media ka thënë se si qeveri kanë filluar negociatat për të siguruar edhe dozën e tretë të vaksinës, nëse paraqitet nevoja.

“Prandaj ne si qeveri qysh tashmë jemi bërë gati për të negociuar dhe siguruar edhe dozën e tretë që ta kemi në kohë të gatshëm nëse paraqitet nevoja. Çfarë do masa që do të ndërmarrim, do të ketë me siguri edhe valë tjera të pandemisë. Këtë natyrisht nuk e them unë, por e thonë virologët dhe epidimiologët. Prandaj, të nderuar qytetarë vetëm vaksinimi na shpëton”, ka shtuar ai.

Vitiaka shtuar se institucionet shëndetësore nuk janë në gjendje të mirë. Megjithatë, ka përmendur masat që kanë marrë në riorganizimin e klinikave dhe sigurimin me barna.

“Janë identifikuar e tani më janë shtuar kapacitet e shtretërve në një mijë e 600. Është funksionalizuar oksigjenimi qendror në disa klinika të QKUK-së, në spitalin e Pejës, të Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit. Javën e ardshme e njëjta do të bëhet në spitalin e Vushtrrisë. Kemi mjaftueshëm pajisje mbrojtëse personale, teste të mjaftueshme dhe një pjesë të mirë të barnave në dispozicion… Nga dje ka filluar shpërndarja e barnave nga lista esenciale dhe brenda ditësh ky furnizim do të jetë mbi 90 për qind të kësaj liste në institucionet e kujdesit parësor shëndetësor, shumë më herët që kemi premtuar dhe menduar fillimisht”, ka shtuar ai.

Më tej, derisa ka folur për stafin shëndetësor ka thënë se shtesat mbi pagën bazë nuk janë të mjaftueshme. Ai theksoi se të njëjtit ka vjet që nuk kanë paga të dinjitetshme. Megjithatë, premtoi se një gjë e tillë do të rregullohet shpejt me Ligjin për Paga në Sektorin Publik./Demokracia.com/

Të ngjashme