Lajme
Paralajmërohen incidente në veri të Kosovës, Trajkoviq thotë se serbët s’dinë çfarë të bëjnë nesër
Demokracia
22:56 | 21 Nëntor 2022

Share:

Kryetarja e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova, Rada Trajkoviq, pas negociatave të dështuara mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit në Bruksel, ka thënë se serbët nga veriu i Kosovës nuk e dinë se çfarë do të ndodhë me ta.

“Ata që krijuan situatën që ne dolëm në këtë pozicion për shkak të tabelave, zhvillimi i situatës tregon se nuk kishin as strategji e as plan”, tha Trajkoviq në N1, transmeton Demokracia.com.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme në Kuvendin e Serbisë, Borko Stefanoviq, thotë se prej vitesh ka një tendencë që të dyja palët t’i japin fund një gjendjeje akute dhe po kalojnë nga një krizë në tjetrën dhe nuk ka zgjidhje sistematike.

“Ne kemi një gjendje të rëndë që mund të kthehet në diçka shumë më të keqe”, tha ai dhe vlerësoi se serbët në veri janë peng të Listës Serbe.

Ai ka vlerësuar se nesër mund të ndodhë një situatë në të cilën një polic shqiptar ndalon një serb me targa KM dhe se kjo shkakton një incident.

Duke folur për braktisjen e institucioneve të Kosovës, Rada Trajkoviq thotë se ishte një “lëvizje vetëvrasëse” që populli të lihej pa njerëz legalë dhe legjitimë nën armë që mund t’i ndihmonin, duke iu referuar serbëve në Policinë e Kosovës.

Ajo ka komentuar rrëfimet për ndarjen e territorit të Kosovës, duke thënë se kjo nuk do të ndodhë, sepse NATO është në të gjithë territorin.

Ajo po ashtu deklaroi se Serbia po “kapet” gjithnjë e më shumë me një strategji pro-ruse dhe po bëhet “propaganda klasike ruse”.

Borko Stefanoviq, duke folur për deklaratën e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, se marrëveshja nuk është arritur për shkak të Kosovës, tha se kjo tregon dobësinë e procesit të udhëhequr nga BE-ja dhe mungesën e forcës së saj diplomatike.

Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të vetmet që mund ta detyrojnë Albin Kurtin të respektojë marrëveshjet.

Ai gjithashtu beson se ekziston një “rrezik real, serioz” që Qeveria e Kurtit të bie.

“Unë mendoj se është mjaft realiste dhe se ai ka humbur mbështetjen e aleatëve të tij perëndimorë”, tha Stefanoviq. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme