Lajme
Paralajmërimi i njohëses së çështjeve të sigurisë: Rusia mund të ta destabilizojë lehtësisht Ballkanin Perëndimor
Demokracia
14:13 | 25 Prill 2022

Share:

Margit Wunsch Gaarmann, studiuese në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë ka publikuar një analizë për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor.

Ajo thotë se pushtimi rus i Ukrainës, e ka forcuar vendosmërinë e evropianëve për të mbrojtur demokracinë dhe arkitekturën evropiane të sigurisë.

Sipas Wunsch Gaarmann shumë politikanë dhe akademikë i kanë kthyer sytë nga Ballkani, të frikësuar se çfarë është në gjendje të bëjë ndikimi rus në një rajon të karakterizuar nga destabiliteti politik, problemet ekonomike dhe emigrimi i më të arsimuarve.

“Situata bëhet edhe më shqetësuese për shkak të tensioneve të vazhdueshme etnike, të cilat mbeten të pazgjidhura edhe pas rreth 3 dekadash nga shpërbërja e Jugosllavisë. Mundësia e një pushtimi rus në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Bosnje Hercegovinë, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbi – janë të ulëta. Sidomos për shkak se Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, janë tashmë anëtare të NATO-s. Megjithatë, Rusia mund të vazhdojë ta destabilizojë lehtësisht rajonin, dhe në këtë mënyrë të sabotojë gjasat që 6 vendet të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, të cilën ato e aspirojnë që nga viti 2005.”, vlerëson ajo.

Wunsch Gaarmann shkruan se tashmë janë ngritur pikëpyetje se si Bosnja mund të anëtarësohet një ditë në BE-së, kur Milorad Dodik po ndjek aspiratat separatiste të mbështetura nga Rusia për Republikën Srpska (entiteti me shumicë serbe në Bosnje Hercegovinë). Ndërkohë aspiratat e Kosovës mbeten të bllokuara nga refuzimi i disa vendeve – përfshirë Rusinë dhe Serbinë – për të njohur pavarësinë e saj.

Sipas saj, Serbia, që tashmë është kualifikuar si një kandidate për anëtarësim në BE, vazhdon të qëndrojë në një ekuilibër delikat midis përafrimit të saj me politikën e jashtme të BE-së, dhe lidhjeve të saj kulturore dhe historike me “vëllanë e saj sllav”, Rusinë.

“Ky tension ishte i dukshëm gjatë një konference për mediat që dha presidenti serb Alexandar Vucic së bashku me Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock më 11 mars, kur Vucic refuzoi të përmendte pushtimin rus, duke aluduar në mënyrë të paqartë për “atë që po ndodh në Ukrainë”. Brenda vendit, ai ka mbështetje për ruajtjen e marrëdhënieve më të ngushta me Rusinë, siç tregohet nga një sondazh i fundit nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, i cili zbuloi se 54 për qind e qytetarëve serbë e shohin Rusinë si një aleate, 95 për qind si një partnere të domosdoshme, dhe vetëm 11 për qind e shohin BE-në si aleate. Po çfarë mund të bëjë BE-ja në këto kushte? Që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, politikanët evropianë kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se ata e shohin të ardhmen e këtij rajonit brenda BE-së, duke deklaruar se një “perspektivë e bazuar në merita e anëtarësimit të plotë në BE për Ballkanin Perëndimor, është ende pjesë e politikës së sigurisë dhe e interesit ekonomik të unionit”, shkruan Wunsch Gaarmann.

Ajo thekson se presidenca çeke e BE-së, që do të nisë në korrik 2022 dhe ka të ngjarë të ketë si prioritet çështjen e zgjerimit të unionit në Evropën Juglindore.

“Megjithatë, fjalët duhet të pasohen nga veprimet konkrete. Në vend se të zvogëlohet mekanizmi kryesor i politikës së zgjerimit (Instrumenti i Ndihmës së Para-Anëtarësimit), siç u vendos gjatë ciklit buxhetor 2021-2027, fondet për rajonin duhet të rriten, në rast se Brukseli dëshiron të tregojë një përkushtim të vërtetë ndaj procesit të zgjerimit. Siç e shpjegon edhe analisti serb Dushan Reljic “gjatë viteve 2021-2027 Ballkanit Perëndimor do t’i jepen vetëm 500 euro për frymë”, një normë që nuk është sigurisht tregues i një angazhimi serioz me rajonin.
Për më tepër, BE-ja duhet të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme ndaj dukurisë së migrimit të vazhdueshëm nga rajoni të njerëzve më të arsimuar, që i ka lënë shumë vende në Ballkan të varfëruara demografikisht dhe pa një potencial ekonomik.”, shkruan Wunsch Gaarmann.

Në analizën e saj kjo studiuese thotë se ikja e qytetarëve nga këto vende po e dëmton perspektivën për të iu bashkuar Bashkimit Evropian.

Por, sipas saj ofrimi ndaj 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor i një rrugë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në BE, pas 18 vitesh ngecje në vend, do të ishte kundërveprimi i duhur ndaj përpjekjeve të Rusisë për të minuar përparimin që është bërë në rajon gjatë 3 dekadave të fundit.

Të ngjashme
Lajme • 28 Qershor 2024