OpEd
Paralajmërimi i një beteje të papërfunduar
Demokracia
08:57 | 10 Shtator 2023

Share:

Shkruan: Afrim Kasolli

Intervista e ish-presidentit Thaçi për Nacionalen ka qenë më se e kuptueshme që do të shkaktonte një sensacion medial. Sepse ishte hera e parë që ai iu drejtua opinionit publik nëpërmjet një mediumi që nga koha kur është arrestuar dhe po mbahet në izolim në burgun e Scheveningen të Holandës. U tha shumëçka për përmbajtjen e përgjigjeve të ish-presidentit Thaçi.

Mirëpo, ajo që nuk u diskutua shumë, apo u la me qëllim apo pa qëllim anash, ishte “paralajmërimi” i tij se vazhdon të tundohet nga jeta aktive politike, pavarësisht faktit se në fillim të rrëfimit mundohet ta mohojë një gjë të tillë. Dhe kjo mundësi mbetet reale nëse ky proces përfundon më shpalljen e tij të pafajshëm nga këto akuza të fabrikuara.

Ky projeksion vërehej lehtas si nga kritika që ai artikuloi në këtë intervistë ndaj proceseve politike në vend, në nevojën për një unitet më të madh kombëtar, ruajtje të aleancave ndërkombëtare etj si dhe të te arsyet se pse e ai i simpatizon Edi Ramën. Bie fjala, për këtë të fundit nuk tha se i pëlqen si piktor apo si artist, por vetëm sepse “Edi lufton dhe zakonisht fiton në kauzën që beson”. Pra ajo që ai më së shumti e admiron te kryeministri i shtetit shqiptar është personaliteti i tij luftarak politik.

Siptomatikisht kjo përgjigje mbase e zbulon në mënyrë të hapur dëshirën e Thaçit, për t’u angazhuar edhe një herë politikisht në favor të kauzave që ai beson se duhet të luftohet. Atëherë është interesant të “spekulohet” se si do të dukej skena politike në vend nga një mundësi e tillë. Ky skenar do të shënonte riciklimin e një tensioni politik ndërmjet tij dhe kryeministrit aktual Albin Kurti. Skena politike do të polarizohej në dy pole antagoniste.

Dhe hapësira e ndërmjetme do të ishte e pa vërejtshme. Të kuptohemi ko fundit nuk ekziston as sot. Sepse aktualisht në njërën anë është Albin Kurti, dhe në anën tjetër një opozitë funksioni i vetëm e së cilës është që deputetet e saj të marrin ndonjë rrogë e ta punësojnë ndonjë asistent. Ndërkohë, në rrethana tjera tensioni kryesor politik do të kristalizohej ndërmjet Kurtit dhe Thacit. Madje nga ky polarizim nuk është se nuk tundohet as kryeministri i vendit. Kurse partitë tjera opozitare do të detyroheshin të bunkerizoheshin në njërën prej këtyre istikameve politike.

E reformatorëve të rrugës së re në LDK do të duhej të presin deri sa Hashim Thaçi dhe Albin Kurti ta përfundojnë ciklin e tyre “bio” politik.

Me këtë nuk po them se ky është opsioni ideal për Kosovën. Por vetëm po mundohem të spekuloj se si do të ishte jeta politike në vend në rrethana të tilla. Sepse shpeshherë proceset politike na imponohen përtej dëshirave dhe vullnetit tonë individuale.

Të ngjashme