Lajme
Paradoksale: Specialja krahason rastin e krerëve të UÇK-së me të afrikanëve që kryen gjenocid e dhunime
Demokracia
16:23 | 21 Maj 2025

Share:

Prokuroria e Dhomave të Specializuara në Hagë po kërkon që me çdo kusht të vazhdojë të mbajë në paraburgim “katërshën e madhe” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës; Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqit, ndonëse paraqitjen e provave të saja e ka përfunduar.

Për të realizuar qëllimet e veta, organi i akuzës më nuk po zgjedh as mjet e as metodë, ndonëse këto të fundit nuk është se i kanë bërë fort përshtypje panelit të gjyqtarëve vendimmarrës, pasi që deri sot, janë nxjerrë 21 vendime për vazhdim paraburgimi ndaj të akuzuarve në fjalë, dhe në të 21-tat, nuk është marrë për bazë asnjë argument i mbrojtjes apo ndryshimi i rrethanave në terren, shkruan lajmi.net.

Prokuroria e Speciales nuk dështoi të na befasojë për të keq as dje, kur në gjykatë çoi një kërkesë të re për vazhdimin e paraburgimit të Kadri Veselit. Në thelb apo në bazament, pikat e argumenteve se pse kinse ish-kryetarit të Kuvendit duhet t’i vazhdohet paraburgimi nuk ndryshojnë, janë të njëjtat sikurse kur ishte arrestuar; kinse Veseli ka autoritet në Kosovë, kinse e kaluara e tij në SHIK përbën rrezik për ndikim në proces, apo se kinse në Kosovë ka klimë të indimidimit të dëshmitarëve.

Por materia e rrezikshme qëndron diku tjetër. Qëndron e fshehur në referencat apo krahasimet që ka përdorur kjo prokurori, që tenton të bindë gjykatësit se ndonëse rasti i saj ka përfunduar dhe dëshmitarët kanë kryer dëshminë, sërish ekziston rreziku se Veseli e të tjerët mund të ndikojnë tek dëshmitarët.

Për krahasim, prokurorët specialë kanë marrë dy shembuj brutal, të cilët do t’i sqarojmë më poshtë.

Rasti i Augustin Ngirabatware në Ruandë.

Augustin Ngirabatware është një politikan ruandez dhe ish-Ministër i Planifikimit në qeverinë e Presidentit Juvénal Habyarimana gjatë viteve 1990–1994. Ai ishte anëtar i partisë në pushtet dhe një figurë e rëndësishme në regjimin që udhëhoqi gjenocidin e vitit 1994 në Ruandë

Gjatë gjenocidit, Ngirabatware u përfshi në shpërndarjen e armëve për milicinë Interahamwe dhe mbajtjen e fjalimeve publike që nxisnin vrasjen e popullsisë Tutsi. Më 20 dhjetor 2012, ai u dënua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ruandën (ICTR) me 35 vjet burg për gjenocid, nxitje të drejtpërdrejtë dhe publike për të kryer gjenocid, si dhe përdhunim si krim kundër njerëzimit. Në apel, më 18 dhjetor 2014, dënimi për përdhunim u rrëzua dhe dënimi i përgjithshëm u ul në 30 vjet burg

Ngirabatware u arrestua në Gjermani në shtator 2007 dhe u transferua në ICTR në tetor 2008. Ai aktualisht po vuan dënimin në Senegal . Në vitin 2019, ai u akuzua për përpjekje për të ndikuar dëshmitarët që të tërhiqnin dëshmitë e tyre, duke u përballur me akuza për përçmim të gjykatës)

Ngirabatëare është gjithashtu dhëndri i Félicien Kabuga, një nga financuesit kryesorë të gjenocidit, i cili u arrestua në vitin 2020 pas dekadash në arrati.

Rasti i Charles Taylor në Gjykatën Speciale për Sierra Leonen.

Charles Taylor ishte Presidenti i Liberisë nga viti 1997 deri në 2003 dhe një nga figurat më famëkeqe në historinë moderne të Afrikës për përfshirjen e tij në krime të rënda ndërkombëtare.

Taylor u akuzua si mbështetës kryesor i Revolutionary United Front (RUF) – një grup rebel në Sierra Leone – që kreu mizori ekstreme gjatë luftës civile të atjeshme (1991–2002), përfshirë prerje gjymtyrësh, përdhunime masive, rekrutim të fëmijëve ushtarë dhe skllavëri minerare.

Ai u arrestua më 2006 dhe u gjukua në Hagë, ndonëse gjykata ishte formuar për Sierra Leonen, pra në një format të ngjashëm me Dhomat e Specializuara për Kosovën.

Më 26 prill 2012, u shpall fajtor për 11 akuza, përfshirë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Më 30 maj 2012, u dënua me 50 vjet burg dhe aktualisht është në burg në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjatë dhe pas gjyqit të Charles Taylor, pati shqetësime serioze për sigurinë e dëshmitarëve, veçanërisht atyre që dëshmuan kundër tij:

Disa dëshmitarë pohuan se ishin kërcënuar me vdekje ose frikësuar nga njerëz të lidhur me mbështetës të Taylor.

Gjithashtu thuhet se kishte përpjekje për të korruptuar dëshmitarë për të ndryshuar dëshminë e tyre ose për të mos dëshmuar fare.

E tash Prokuroria e Speciales po tenton të hedh paralele mes këtyre dy rasteve të gjykimeve të së kaluarës me çështjen kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas prokurorëve në Hagë, këto dy raste dëshmojnë faktin se interferimi në dhënien e verdiktit final mund të bëhet edhe pasi që të ketë përfunduar dhënia e dëshmive nga dëshmitarët e prokurorisë apo në një fazë të mëvonshme, duke tentuar të legjitimojë kështu lënien në paraburgim të Veselit dhe të tjerëve.

Të ngjashme