Sport
Para përballjes me Drenicën, trajneri Nuhiu dhe futbollisti Jashari tregojnë forcën e Dritës
Demokracia
15:36 | 18 Shtator 2021

Share:

Në prag të ndeshjes së pestë kampionale që Drita e zhvillon nesër ndaj Drenicës në Skenderaj, ka mbajtur konferencë për media ku u paraqitën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Muharrem Jashari.

Trajneri Nuhiu, theksoi se të gjithë futbollistët janë të gatshëm për këtë takim, përveç Marko Simonovskit, aktivizimi i të cilit është në pikëpyetje.

“Të gjithë futbollistët janë në gjendje të mirë, përveç Simonovskit që ndjen një shqetësim dhe do të jetë i diskutueshëm aktivizimi i tij në ditën e nesërme. I gjithë grupi tjetër janë të gatshëm për këtë ndeshje. Kemi kontigjentin e lojtarëve të mjaftueshëm, ata e kanë dëshmuar edhe në ndeshjet e kaluara dhe çdonjëri që paraqitet bëjnë më të mirën”, ka thënë fillimisht trajneri Nuhiu.

“Kemi përballë një skuadër, e cila ka startin më të mirë në këtë kampionat dhe në futboll nuk ka rastësi. Është skuadër e fortë, kanë kualitet dhe vështirë thyhet. Por, kam besim te skuadra dhe djemtë tanë, shoh motiv dhe dëshirë për të reaguar, do të mundohemi që të gjejmë mënyrën edhe pse e dijmë që nuk do të jetë aspak e lehtë. Por, ne i kemi mundësitë dhe kualitetet për të bërë ndeshje të mirë dhe për të marrë pse jo edhe fitoren”, theksoi Nuhiu.

Kurse, futbollisti Muharrem Jashari ka thënë se do të japin maksimumin që FC Drita të kthehet me rezultat pozitiv.

“Pas ndeshjes me Ballkanin na pret një ndeshje e vështirë në Skenderaj. Të gjithë e dijmë që KF Drenica në shtëpi është ekip i vështirë dhe luan një futboll shumë të hapur, por ne do t’i qasemi lojës si e kemi përgaditur, do të fokusohemi dhe të japim maksimumin, duke synuar të kthehemi me rezultat pozitiv”, ka thënë Jashari.

Ndeshaja Drenica – Drita luhet nesër nga ora 16:00 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skederaj. /Demokracia.com

Të ngjashme