Lajme
​Paqartësi rreth marrëveshjes Kosovë-Danimarkë për të burgosurit
Demokracia
16:17 | 31 Maj 2025

Share:

Në maj të vitit të kaluar është miratuar në Kuvend të Kosovës, marrëveshja me Danimarkën për transferimin e 300 të burgosurve në Qendrën Korrektuese në Gjilan. Organizata të të drejtave të njeriut dhe monitorues të institucioneve korrektuese, shprehin shqetësimin për mungesë transparence gjatë kësaj periudhe. Ata thonë se ende nuk dihet se ku do të transferohen 200 të paraburgosurit që aktualisht ndodhen në këtë institucion.

Në raportin e fundit për gjendjen e të drejtave të njeriut të Amnesty International një kapitull i kushtohet Kosovës.

Raporti përmend edhe marrëveshjen e Kosovës me Danimarkën për të transferuar në Kosovë të burgosurit danezë në 300 qeli, duke theksuar konsultimet e kufizuara publike dhe hapësirën e pamjaftueshme në burg.

Fatmire Haliti, e cila është juriste në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, thotë se nuk ka pasur asnjëherë diskutim publik lidhur me këtë marrëveshje.

Ajo thekson se nuk dihet se në cilat qendra korrektuese do të transferohen të paraburgosurit në Gjilan.

“Ne kemi bërë disa kërkesa, disa thirrje Ministrisë së Drejtësisë që të diskutohet se ku do të vendosen ata persona dhe ende askund nuk ka pasur ndonjë përgjigje apo ndonjë prononcim publik se ku do të dërgohen 200 të burgosurit që gjenden në Gjilan. Për shkak se numri prej 200 të paraburgosurve për t’u transferuar në një qendër tjetër të ngjashme të paraburgimit në rrethanat aktuale në të cilat gjendet sistemi korrektues në Kosovë nuk ka vende të mjaftueshme.

E kemi përsëritur disa herë dhe prapë e përsërisim ka vende të lira në institucionet korrektuese por në bazë të legjislacionit dhe standardeve të drejtave të njeriut, këto vende të lira që gjenden në qendrat korrektuese janë për kategori të tjera, janë për persona të dënuar me vendim të gjykatës, janë për gra të dënuara në hapësira që ka të mjaftueshme, po ashtu janë edhe disa vende të lira në qendrën korrektuese për të mitur, gjithashtu edhe në burgun e sigurisë së lartë. Janë institucione të cilat nuk janë adekuate për zhvendosjen e 200 të burgosurve nga qendra e paraburgimit në Gjilan. Dhe kjo ka qenë një prej shqetësimeve që kemi adresuar, mirëpo deri më tani nuk kemi pasur ndonjë përgjigje apo ndonjë komunikim se si është menduar”, thotë ajo.

Marrëveshja me Danimarkën është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës në maj të vitit të kaluar. Por, gjatë kësaj kohe ka munguar transparenca, thotë Haliti për kp.

“Në aspektin ligjor është e zbatueshme si marrëveshje, por në aspektin praktik nuk ka ndonjë informacion se ku janë me procedurat për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Në bazë të disa deklaratave të zyrtarëve të institucioneve korrektuese shihet që ka një bashkëpunim të ndërsjellë mes Kosovës dhe Danimarkës, pra zyrtarëve përkatës, kanë vizita reciproke shtetet mes vete. Mirëpo, në aspektin praktik ende nuk ka asnjë konkrete sepse marrëveshja parasheh përveç 15 milionë euro çdo vit për Kosovën për implementimin e kësaj marrëveshjeje, me marrëveshje është paraparë që shumë fillestare prej 5 milionësh do të transferohet menjëherë pas ratifikimit të marrëveshjes, ku parashihet edhe renovimi i qendrës korrektuese në Gjilan për nevojat e sistemit danez për transferimin e të burgosurve atje. Mirëpo, tani kanë kaluar një vit dhe zyrtarisht dhe publikisht nuk kemi asnjë informacion se si po shkon procesi në zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Edhe kjo është një ngecje në komunikim me publikun dhe palët e interesit sepse përveç të burgosurve që nuk e dimë për fatin e tyre se ku do të transferohen, po ashtu kemi edhe një numër të stafit që janë të angazhuar”, theksoi ajo.

Lidhur me këtë, KosovaPress ka pritur një përgjigje nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala thotë pwr KosovaPress, se që nga fillimi e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje.

“Ata [të burgosurit danez] janë të dënuar për vepra të rënda kriminale, të cilët ministrja në detyrë i ka fshehur nga opinioni, askund nuk ka treguar se cili është profili i atyre që do të sillen, asnjë i burgosur nuk ia vlen të vijë këtu, sepse po të ishin të burgosur të mirë Danimarka nuk do t’i sillte dhe Danimarka nuk ka arritur t’i risocializojë dhe për pak para i sjell në Kosovë. Është jo serioze, qesharake të thuhet që Danimarka nuk ka kapacitete të pranojë të burgosur, ku Danimarka një burg mund ta ndërtojë për gjashtë muaj e këtu po pret pesë vjet derisa të aftësohet burgu në Pasjak të Gjilanit”, shton ai.

Shala ngre edhe shqetësimin e familjarëve, në rast se transferimi i të burgosurve vendor do të bëhet larg nga Gjilani.

“Familjarët duhet të vizitojnë të burgosurit që ndoshta i kanë pasur afër 10 kilometra ose 20, tash duhet t’i kalojnë 100 kilometra që t’i vizitojnë. Po rrezikohet ambienti social apo shëndeti social i të burgosurve dhe mbajtja e kontakteve të rregullta me familjarë”, shprehet Shala.

Marrëveshja me Danimarkën, paraprakisht është nënshkruar në vitin 2022 për dhënien me qira të burgut në Gjilan.

Të ngjashme