Lajme
Papërgjegjësia e kryeministrit| Kurti shkon në Japoni pa zgjidhur çështjen me mësimdhënësit, shkollat mbeten të mbyllura
Demokracia
11:50 | 27 Shtator 2022

Share:

Përkundër që mësimdhënësit kanë hyrë në ditën e 34 të grevës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar në Japoni për të marrë pjesë në ceremoninë shtetërore të varrimit të ish-kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe.

Pavarësisht pritjeve dhe rritjes së presionit publik, Kurti udhëtoi për në Japoni pa arritur një marrëveshje me SBASHK-un për ndërprerjen e grevës.

Udhëtimi i Kurti në këtë kohë greve është kritikuar ashpër në vend.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke komentuar vizitën e Kurtit në Japoni ka thënë se kryeministri është i paaftë, i papërgjegjshëm dhe nuk di të qeverisë.

“Mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim – rrinë në shtëpi – por Kryeministri i Kosovës zgjedhë të largohet për në Japoni. Paaftësi dhe papërgjegjësi! Ky njeri nuk di të qeverisë!”, ka shkruar i pari i LDK-së.

Tutje, ka thënë se asnjëherë në Kosovë, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë.

“Asnjëherë në Kosovë, në kohë paqeje, mësimi nuk është ndërprerë kaq gjatë. Asnjëherë më parë fëmijët kosovarë nuk kanë pësuar me kaq pandjeshmëri. Kjo më nuk është gjendje normale. Fëmijët, familjet, mësimdhënësit e vet shteti s’mund të dëmtohen me kaq lehtësi. Kujt i duhen fajësimet, ofendimet e egot individuale kur në fund mbesim në krizë?”, ka shkruar Abdixhiku, raporton Demokracia.com.

Ndryshe, viti shkollor në Kosovë zakonisht nis më 1 shtator, por tashmë është gati fundi i këtij muaji dhe mbi 300.000 nxënës mbeten ende jashtë bankave të klasës.

Punonjësit e arsimit janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj, derisa të hyjë në fuqi Ligji i ri për paga.

Palët kanë mbetur të palëkundur në qëndrimet e tyre, pavarësisht disa takimeve të zhvilluar ndërmjet tyre.

Qeveria e Kosovës thotë se ky ligj, që parasheh rritje pagash për punonjësit e sektorit publik, do të dalë në miratim së shpejti dhe kërkon nisjen e mësimit.

Greva në sektorin e arsimit, është thyer vetëm në disa shkolla dhe nga mësimdhënës që individualisht kanë vendosur ti mbajnë orët e tyre, por sipas të dhënave të SBAShK-ut, bëhet fjalë për një % të vogël të shkollave në nivel vendi. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme
Lajme • 05 Maj 2024
Lajme • 05 Maj 2024