Lajme
Papa Leoni i lutet Izraelit t’i lejojë ndihmat humanitare në Gazë
Demokracia
13:57 | 21 Maj 2025

Share:

Papa Leoni XIV i ka bërë thirrje të mërkurën Izraelit ta lejojë hyrjen e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, duke e përshkruar gjendjen në enklavën palestineze si “shqetësuese dhe tronditëse”.

“Ripërtërij thirrjen time të zjarrtë për të lejuar hyrjen e ndihmës së drejtë humanitare dhe për t’i dhënë fund armiqësive, çmimin shkatërrues të të cilave po e paguajnë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët”, tha papa i ri në sheshin e Shën Pjetrit.

Leoni – i cili u zgjodh papë më 8 maj duke pasuar të ndjerin Papa Françesku – e ka përmendur luftën në Gazë disa herë në javët e para të papatit të tij.

Ai e bëri këtë lutje në fund të fjalimit para audiencës, duke shtuar disa fjalë përtej tekstit të përgatitur.

Në mesazhin e tij të parë të së dielës më 11 maj, Papa Leoni bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gazë dhe për lirimin e të gjithë pengjeve izraelite që po mbahen nga grupi militant Hamas – i cili është i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja.

Izraeli tha të hënën se do ta lejojë hyrjen e ndihmave në Gazë pas një bllokade 11-javore ndaj enklavës, por Kombet e Bashkuara thanë se deri të martën nuk është shpërndarë asnjë ndihmë.

Izraeli bëri të ditur se synon t’i intensifikojë operacionet ushtarake kundër Hamasit dhe të marrë nën kontroll të gjithë Gazën, e cila është shkatërruar nga një luftë ajrore dhe tokësore izraelite që nga sulmi i Hamasit ndaj komuniteteve izraelite në tetor 2023.

Ai thotë se bllokada ka për qëllim, pjesërisht, t’ua pamundësojë militantëve palestinezë devijimin dhe konfiskimin e ndihmave humanitare. Hamasi e ka mohuar këtë gjë.

Kritikat e Françeskut për Izraelin

Françesku, i cili vdiq më 21 prill, i kishte shtuar kritikat ndaj fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë gjatë muajve para vdekjes së tij.

Ai e quajti situatën në enklavë “shumë serioze dhe të turpshme” në janar, dy muaj pasi tha se komuniteti ndërkombëtar duhet të hetojë nëse ka ndodhur gjenocid ndaj popullit palestinez.

Duke pasqyruar ftohjen e marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Izraelit pas kritikave të Françeskut, Izraeli, ndryshe nga shumë shtete të tjera, nuk dërgoi zyrtar të lartë në varrimin e papës së ndjerë, por vetëm ambasadorin e tij në Vatikan.

Si shenjë e mundshme për një rivendosje marrëdhëniesh me papën e ri, presidenti izraelit, Isaac Herzog, mori pjesë në meshën inauguruese të Leonit në sheshin e Shën Pjetrit të dielën.

Ushtria izraelite e rifilloi ofensivën në mars, duke e prishur armëpushimin që kishte mundësuar lirimin e më shumë se 30 pengjeve.

Lufta në Gazë filloi kur militantë të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje. Izraeli thotë se 59 pengje mbeten në Gaza, megjithëse besohet se rreth 35 prej tyre janë të vdekur.

Lufta e Izraelit i ka vrarë më shumë se 53.000 njerëz në Gazë, shumë prej tyre gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL

Të ngjashme