Papë Françesku të dielen i ka bërë thirrje Rusisë që të rrëzojë vendimin për t’u tërhequr nga marrëveshja e drithërave, nën të cilën lejohej Ukraina që të eksportonte drithërat nga portet e saj detare pavarësisht luftës.
“Iu bëj apel vëllezërve të mi, autoriteteve të Federatës Ruse, që iniciativa e Detit të Zi të vazhdohet dhe drithërat të transportohen,” – tha Françesku gjatë mesazhit të tij të përjavshëm.
Çmimet globale të grurit janë ngritur prej që Rusia u largua nga pakti të cilin e kishin ndërmjetësuar OKB-ja me Turqinë në korrikun e vitit 2022.
Duke iu adresuar turmës në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i bëri thirrje besimtarëve të vazhdonin lutjet për “Ukrainën martire, ku lufta po shkatërronte gjithçka, edhe grurin”, duke e quajtur një gjë të tillë si “fyerje të rëndë ndaj Zotit.”
Lideri i gati 1.4 miliardë katolikëve në botë tha: “vaji i miliona vëllezërve dhe motrave që po vuajnë nga uria është ngritur në qiell.”
Rusia u largua nga marrëveshja pasi tha që kërkesat e saj për lehtësim të sanksioneve ndaj grurit të saj nuk ishin plotësuar. Edhe Moska ishte ankuar që grurë i pamjaftueshëm iu kishte shkuar shteteve të varfra, raporton Reuters.
Javën e kaluar, presidenti rus Vladimir Putin ofroi që të furnizonte me grurë Afrikën.
Prej që nisi lufta në Ukrainë vitin e kaluar, Papë Françesku vazhdimisht e ka dënuar agresionin rus por po ashtu e ka mbajtur një kanal të hapur komunikimi me Moskën.