Lajme
Paneli ia vazhdon paraburgimin Veselit, por pranon se nuk ka informata se ai mund t’i ik drejtësisë
Demokracia
17:20 | 20 Qershor 2023

Share:

Paneli i gjyqtarëve në procesin kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka vendosur sot t’ia vazhdojë paraburgimin ish-Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit, por brenda arsyetimit ky panel ka pranuar se tashmë nuk ka informata të mjaftueshme për shumë nga argumentet që prokuroria përdorë për ta mbajtur zotin Veseli në burg.

Në të gjitha vendimet e mëhershme për vazhdimin e paraburgimit, “mundësia e ikjes nga drejtësia” është përdorur si argument nga prokuroria edhe nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Paneli në vendimin e vet konstaton se tash nuk ka informata të mjaftueshme për ta vërtetuar këtë.

“Paneli konkludon se në këtë kohë vazhdon të ketë informata të pamjaftueshme para se të arsyetojë konstatimin se z. Veseli mund të ikë nga drejtësia”, thuhet në pikën 29 të vendimit të panelit.

Nuk është ky i vetmi rast ku paneli nuk është bindur shumë nga argumentet e prokurorisë.
Zakonisht prokuroria ka përdorë si argument për mos mbrojtje në liri të zotit Veseli, mundësinë e arratisjes.

Paneli konstaton në këtë vendim se prokuroria ka dështuar ta vërtetojë pretendimin e saj.

“Sa i përket argumentit të ZPS-së në lidhje me avancimin e procedurave, Paneli thekson se argumenti i përgjithshëm i ZPS-së se rreziku i fluturimit rritet në kontekstin e fillimit të gjykimit është jo bindës. Paneli konsideron se ZPS-ja ka dështuar të vërtetojë pretendimin e saj për një “mundësi mjaft reale” që i Akuzuari të arratiset nëse lirohet bazuar në fazën e procedurës”, thuhet në pikën 15 të vendimit të panelit.

Prokuroria duket të ketë përdorur rastin e dënimit të Salih Mustafes si argument që ish kreu i PDK-së, të mbahet në paraburgim. Por, paneli ia ka hedhur poshtë këtë argument prokurorisë. Madje e ka quajtur si spekulim.

“Në lidhje me argumentin e PSP-së se aktgjykimi në rastin Prokurori kundër Salih Mustafa do të rriste perceptimin e z. Veseli për mundësinë e një dënimi më të gjatë për veten e tij, Paneli e gjen këtë si spekulative. ZPS nuk ka demonstruar se ky faktor tejkalon faktorët e tjerë që Paneli i ka marrë parasysh në vendimet e tij të mëparshme. Në çdo rast, z. Veseli prezumohet të jetë i pafajshëm”, theksohet në pikën 16 të vendimit.

Por, ani pse ka rrezuar disa argumente të prokurorisë, paneli megjithatë ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin zotit Veseli, dhe nga ajo që vërehet në shkresë është se vendimi kryesisht bazuar në peshën e aktakuzës, në standardin e procedurës, e po ashtu duke konsideruar se masat e parapara për mbrojtje në liri nuk do të mund të zbatoheshin.

“Paneli i tërheq vëmendjen standardit të aplikuar në vlerësimin e rreziqeve sipas nenit 41(6)(b), i cili nuk kërkon një “shembull konkret” të një situate në të cilën z. Veseli ka frikësuar apo ngacmuar personalisht një dëshmitar”, thuhet nder të tjera në vendimin e panelit.

Gjyqi ndaj krerëve të UÇK-së ka filluar me 3 prill dhe deri me tash ecuria e tij është tejet e ngadalshme. Pothuajse 90% të kohës seancat janë private. Deri me tash janë paraqitur vetëm 10 dëshmitarë. Paneli i gjyqtarëve ka përsëritur disa herë procedimin shumë të ngadaltë me dëshmitarë dhe për këtë i ka dhënë edhe vërejtje prokurorisë.

Gjithashtu, pasi publiku po vazhdon ta kritikojë ashpër mbajtjen e seancave kryesisht në formë private, paneli kishte kërkuar nga palët që të përpiqen që të ketë sa më shumë dëshmi publike. Por edhe përkundër këtyre, duke se gjendja nuk po ndryshon.

Në tërësi procesi ndaj krerëve të UÇK-së, që nga koha kur ata janë paraburgosur është përcjelle me kritika të mëdha, për vonesa të theksuara, redaktim ekstrem, fshehje të provave shfajësuese, furnizim me prova nga Serbia, e në veçanti për thelbin e aktakuzës; që e gjykon UÇK-në si ndërmarrje të përbashkët kriminale.

Të ngjashme