Lajme
Paneli hetues për trazirat në Capitol Hill deklaron se Trump ishte nxitës
Demokracia
23:47 | 12 Korrik 2022

Share:

Ligjvënësit amerikanë e kanë akuzuar të martën Donald Trumpin se ka nxitur një turmë të njerëzve për ta sulmuar ndërtesën e Capitol Hill në SHBA më 6 janar të vitit 2021, në një përpjekje të fundit për të mbetur në pushtet, teksa Kongresi po vërtetonte zyrtarisht humbjen e presidentit të atëhershëm në zgjedhje.

Në video-dëshminë e treguar nga komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve që heton trazirat, dëshmitarët treguan për një takim  6-orësh natën vonë në 18 dhjetor të 2020-ës, ku Trump shpërfilli punonjësit e Shtëpisë së Bardhë, të cilët i kërkuan që t’i pranonte zgjedhjet e nëntorit dhe fitoren demokratit Joe Biden.

Në vend të kësaj, Trump mbajti anën e këshilltarëve të jashtëm, të cilët i kërkuan që të vazhdojë të ushtrojë presion mbi pretendimet e tij të pabaza për mashtrime zgjedhore. Anëtarët e komisionit thanë se Trump ishte përfundimisht përgjegjës për kaosin që pasoi.

“Presidenti Trump është një burrë 76-vjeçar. Ai nuk është një fëmijë që të ndikojë. Ai është përgjegjës për veprimet e tij dhe zgjedhjet e tij,” tha Përfaqësuesja Republikane Liz Cheney, nënkryetare e panelit.

Shtatë demokratët dhe dy republikanët e panelit i kanë përdorur seancat se përpjekjet e Trump për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e 2020-ës përbëjnë sjellje të paligjshme, shumë përtej politikës normale.

Teksa seanca dëgjimore treorëshe përfundoi, Cheney tha se Trump ishte përpjekur të thërriste një dëshmitar që nuk ishte paraqitur ende, duke sugjeruar një rast të mundshëm të ngatërrimit të dëshmitarit që ajo tha se i ishte referuar Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, shkruan Reuters, transmeton KlanKosova.tv.

Të ngjashme