Lajme
Pandemia pengoi regjistrimin popullsisë
Demokracia
12:34 | 04 Maj 2022

Share:

Ende nuk dihet se kur do të fillojë procesi i regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, që ishte paraparë të mbahet në vitin 2021.

Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës kanë bërë të ditur se ky institucion i ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, por për shkak të pandemisë dhe situatës me zgjedhjet qendrore dhe ato lokale, ky proces është shtyrë në kohë të pacaktuar.

Edhe pse ishte paraparë që gjatë vitit 2021 të nise procesi i regjistrimit të popullsisë, ende nuk ka ndonjë datë të saktë se kur mund të fillojë ky proces. Zëdhënësja e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Hazbije Qeriqi, në një përgjigje për Radio Kosovën tha se për shkak të pandemisë dhe situatës me zgjedhjet qendrore dhe ato lokale, ky proces është shtyrë në kohë të pacaktuar.

“ Regjistrimi i popullsisë ishte paraparë të mbahej gjatë vitit 2021. Mirëpo, pas situatës me pandeminë, zgjedhjet qendrore dhe më pastaj ato lokale, ky proces është shtyrë për kohë të pacaktuar. Sapo të aprovohet Ligji për regjistrimin e popullsisë në Kuvendin e Kosovës, atëherë 9 muaj pas këtij ligji duhet të mbahet ky proces”, thotë Hazbije Qeriqi për Radio Kosovën.

Duke folur për risitë që janë paraparë në këtë proces, Qeriqi tha se regjistrimi do të bëhet në formë elektronike dhe se për herë të parë do të futen në përdorim hartat digjitale.

“Grumbullimi edhe kësaj radhe do të jetë tradicional, derë me derë. Por për dallim nga pyetësorët në letër që është bërë regjistrimi i kaluar, këtë radhë do ta bëjmë në mënyrë elektronike përmes tableteve. Po ashtu, jemi duke u përgatitur maksimalisht që për herë të parë të fusim në përdorim hartat digjitale në Kosovë gjatë regjistrimit të popullsisë”, shpjegon Qeriqi.

Ndër të tjera, ajo tha se regjistrimi i popullsisë është planifikuar të bëhet në tërë territorin e Kosovës, duke përfshire edhe pjesën veriore të vendit.

Me herët banorët e komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kishin refuzuar procesin e regjistrimit.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 2011. Nga ky proces, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, ishte rreth 1.8 milion banorë.

Të ngjashme