Lajme
Pandemia ndikoi në rritjen e agresivitetit, dhunës dhe nevojës për konsultim me psikolog
Demokracia
12:36 | 13 Mars 2021
Ilustrim

Share:

Tashmë janë bërë një vit që kur Kosova ka regjistruar rastet e para me koronavirus.

Më 13 mars të vitit të kaluar në Kosovë ishin regjistruar rastet e para me koronavirus.

Që nga ajo kohë e deri më sot janë regjistruar 1 mijë e 688 viktima si pasojë e koronavirusit, janë infektuar 76 mijë e 110 persona, kurse u shëruan 63 mijë e 892 persona dhe aktualisht në vendin tonë janë 10 mijë 530 raste aktive me koronavirus.

Mirëpo, përveç shifrave të larta, pandemia COVID-19 ka ndikuar edhe në sjelljen e gjithsecilit në aspektin psikologjik.

Hanife Kerolli-Fazliu, psikologe klinike në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), në një intervistë për Demokracia.com, ka thënë është rritur dukshëm numri i rasteve të dhunës e agresivitetit. Paralelisht, ajo tha se janë rritur edhe kërkesat e qytetarëve për konsultime me psikologun.

Kerolli-Fazliu ka thënë se pandemia ka ndikuar edhe te adoleshentët e veçanërisht te formimi i identitetit të tyre.

Demokracia.com: Cilat janë pasojat psikologjike të pandemisë?

Hanife Kerolli-Fazliu: Ndikimi i pandemisë është shumëdimensional për arsye se prek disa aspekte si: psikologjike, ekonomike e sociale dhe secila nga këto aspekte ndikohen nga njëra-tjetra. P.sh., një person që ka humbur vendin e punës mund të ketë probleme ekonomike, sociale e psikologjike. Sigurisht që pasojat psikologjike si rezultat i pandemisë në mbarë botën janë evidente, ku në fillim të pandemisë njerëzit kanë shfaqur frikë, mirëpo frika është një emocion negativ normal, në një situatë të jashtëzakonshme dhe na ndihmon të kujdesemi dhe të respektojmë masat anti-Covid. Kur frika është e vazhdueshme dhe me intensitet të rritur, individi mund të përjetojë panik, izolim social dhe mund të paraqiten fobi, ankthi, depresioni e deri te stresi post-traumatik. Individët në situata të tilla kanë frikë jo vetëm për veten por edhe për familjarët dhe rrethin social. Sigurisht që personat që kanë pasur predispozita janë më të rrezikuar për të manifestuar probleme psikologjike.

Demokracia.com: Sa ka ndikuar pandemia që kosovarët të konsultohen më shumë me profesionistët shëndetësorë në aspektin psikologjik?

Hanife Kerolli-Fazliu: Nga përvoja ime profesionale por edhe në diskutime me kolegët mund të theksoj se kërkesat për ndihmë profesionale janë rritur muajt e fundit. Jo domosdoshmërisht ankesat e tyre lidhen drejtpërdrejt me Covidin. Në shumë raste pandemia vetëm i ka shpërfaqur problemet e mëhershme. Mirëpo nga eksperienca ime, kam pasur raste që kanë kërkuar ndihmë edhe si pasojë e Covidit.

Demokracia.com: Si duhet të trajtohen personat, të cilët janë ndikuar nga pandemia, në aspektin psikologjik?

Hanife Kerolli-Fazliu: Në shëndetin mendor nuk ka një formulë për trajtimin e rasteve sepse secili individ është unik dhe rrethohet nga faktorë të ndryshëm dhe qasja ndaj tyre është unike. Ajo që është me rëndësi të ceket është se Ministria e Shëndetësisë është duke punuar në strategjinë për shëndetin mendor si rezultat i COVID-19, por mendoj se jemi pak vonë kur dihet se nëse punohet në parandalim ose në faza të hershme kur paraqiten problemet, atëherë rezultatet janë më të mira. Kur flasim për planin e trajtimit, disa raste mund të trajtohen vetëm me psikoterapi, e disa që simptomat e tyre janë të intensitetit të lartë, rekomandohet trajtim edhe medikamentoz nga ana e psikiatrit. Mirëpo, në situata të tilla përveç trajtimit duhet të ketë programe të veçanta në media për informim të saktë, programe në shkolla etj.

Demokracia.com: Cila shtresë e shoqërisë ndikohet më shumë nga pandemia?

Hanife Kerolli-Fazliu: Bazuar në studimet e fundit personat që kanë qenë të infektuar janë me rrisk më të lartë për probleme psikologjike, familjarët që kanë humbur anëtarë të familjes, stafi shëndetësor që përkujdeset për pacientët me COVID-19, mosha e tretë dhe personat me sëmundje kronike po ashtu janë kategoria më e rrezikuar kur dihet se të gjitha studimet flasin se janë kategoria me rrezik të lartë për infektim dhe fatalitet. Një kategori që gati sikur e kemi anashkaluar janë adoleshentët të cilët janë në fazë shumë delikate të zhvillimit, ku janë në kërkim të formimit të identitetit dhe kryesisht ata e ndërtojnë  identitetin e tyre nga perspektiva si e shohin dhe e pranojnë rrethin social, dhe është fazë ku kanë nevojë të qëndrojnë me bashkëmoshatarët. Për këtë arsye mbyllja, kufizimet tek adoleshentët mund të ketë pasoja edhe për faktin se sot ata kalojnë kohë shumë në internet dhe këto ndalesat e kufizimet vetëm sa ua kanë fuqizuar qëndrimin në internet dhe fuqizimin e socializimit  virtual.

Demokracia.com: Cilat janë pasojat psikologjike të karantinimit dhe kufizimit të lëvizjes?

Hanife Kerolli-Fazliu: Pasojat psikologjike të karantinimit mund të jenë të ndryshme varësisht prej individëve. Individët që kanë aftësi reziliente (elastike, fleksibile), e përballojnë më lehtë karantinimin dhe në përgjithësi pandeminë. Personat që janë me vulnerabël (të prekshëm), mund të izolohen nga rrethi social si rezultat i frikës se mund të transmetojnë virusin. Një dukuri që është evidentuar në krejt botën ka qenë rritja e dhunës në familje për shkak se truri ynë ka prirje të orientohet në gjëra që mund t’i kontrollojmë sepse të panjohurën nuk mund ta kontrollojmë dhe gjithë energjia kanalizohet në gjëra që mund t’i kontrollojmë dhe personat me predispozita për agresion, karantinimi vetëm ua përforcon sjelljet agresive. Pastaj kufizimi i lëvizjes ka shkaktuar frikë se nuk mund t’i plotësojmë motivet bazë – ku hyjnë ushqimi, siguria, shëndeti. Kjo situatë mund të ketë pasoja afatgjata psikologjike e sociale ku mund të transformojmë shumë shprehi, por mund të ketë edhe ndikim pozitiv nëse arrijmë të përfitojmë nga kjo situatë që të instalojmë higjienën shëndetësore. Bazuar në eksperiencën time në Klinikën e Psikiatrisë mund të them se çdo ditë e më shumë kemi kërkesa për ndihmë psikologjike si rezultat i pandemisë. Vetë fakti se kemi një vetëdijesim të popullatës që po kërkojnë ndihmë është një tregues për shpresë që të kemi më pak pasoja.

Të ngjashme