Lajme
Pandemia: Lajmet e javës së fundit
Demokracia
14:08 | 07 Shkurt 2021

Share:

Ka filluar trajtimi me plazmë konvalescente (rikuperuese) në Klinikën Infektive të SHSKUK-së tek pacientët e infektuar me COVID-19. Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, po ashtu ka bërë të ditur se vaksina kundër COVID-19 pritet të arrijë gjatë muajit shkurt në vendin tonë. Sipas tij pretendohet që të vaksinohet më shumë se 75 për qind e popullatës dhe kjo nënkupton 2 milionë e 700 mijë doza për vaksinim. Ndërsa shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka treguar se në gjysmën e dytë të këtij viti do të vijnë 100 mijë doza të vaksinave nga COVAX.

Shqipëria ka pranuar edhe 1170 doza të vaksinave kundër COVID-19. Kjo është hera e dytë që Shqipëria pranon vaksina. Kryeministri Edi Rama tha se sigurimi i vaksinave nuk është ‘i varur’ vetëm te Pfizer dhe njoftoi se për shkak të rregullave strikte të kompanisë nuk do të mund të dërgohen në Kosovë dozat e premtuara. Shqipëria, në javën që e lamë, ka shënuar 66 viktima dhe qindra të infektuar.

Serbia ka bërë hapa substancialë në vaksinimin kundër COVID-19 të popullsisë së saj. Por nuk po përdorë vaksinat e prodhuara në perëndim. Në vend të kësaj Serbia është duke përdorur vaksinat e Kinës. Serbia, një vend me 7 milionë banorë, ka marrë tashmë më shumë se 1 milion doza dhe një milion të tjera pret t’i marrë para fillimit të marsit.

Maqedonia e Veriut pritet të fillojë vaksinimin këtë muaj, ka lajmëruar Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, i cili tha se imunizimi do të fillojë me vaksinën kineze të ndërmarrjes Sinofarm dhe se vaksinat pritet të arrijnë në vend këtë muaj. Në Maqedoninë e Veriut janë shënuar 68 vdekje dhe qindra të infektuar gjatë javës së kaluar. Maqedonia e Veriut, një vend me dy milionë banorë, ka regjistruar më shumë se 2,800 viktima të COVID-19 dhe shkalla e vdekjes së saj për kokë banori është ndër më të lartat në botë, raportojnë mediat.

Deri më tani, Mali i Zi ishte përqendruar vetëm COVAX, iniciativën e OBSH-së për të ndihmuar vendet më pak të fuqishme të marrin vaksinën e që për momentin nuk ka dhënë rezultatet e dëshiruara. Kjo ka nxitur polemikë të ashpër mes qeverisë dhe opozitës, me akuza të ndërsjella për dështimin në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Mali i Zi tani nuk po përjashton asnjë mundësi, duke përfshirë furnizimet nga Rusia ose Kina.

Bosnja dhe Hercegovina me 3,3 milionë banorë ende nuk ka filluar vaksinimin kundër COVID-19. Sarajeva thotë se ishte ndër të parët që u regjistrua në skemën COVAX, por ende nuk ka marrë asgjë. Edhe Bosnja dhe Hercegovina ka njoftuar se do të kërkojë vaksina edhe nga Kina, Rusia dhe nga prodhuesi Pfizer. BeH ka regjistruar më shumë se 3,700 viktima nga COVID-19 dhe ka një nga nivelet më të larta të vdekjeve për frymë të popullsisë.

Rastet e koronavirusit rriten pa u ndalur në të gjithë globin, me më shumë se 106.3 milionë të infektuar nga sëmundja vdekjeprurëse. Ndërsa 77milionë e 965 mijë e 615 janë shëruar, 2 milionë e 318 mijë e 841 kanë vdekur deri më tani. SHBA mbetet vendi i goditur më keq me 27 milionë e 517 mijë e 641 të prekur, ndjekur nga India, Brazili, Rusia dhe Mbretëria e Bashkuar. Me numër të përgjithshëm të rasteve aktive, SHBA kryeson listat, e ndjekur nga Franca, Britania e Madhe, Brazili dhe Belgjika.

Ka një rënie të rasteve në botë, njofton Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pasi janë regjistruar më pak se 3.7 milionë raste të reja gjatë javës së kaluar, një rënie prej 13% nga java që e lëmë pas.

BE ka bërë gabime në planifikimet për vaksinim, e ka pranuar Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

“Është dashur t’i kushtojmë vëmendje edhe prodhimit dhe shpërndarjes, e jo vetëm zhvillimit të vaksinës”, i ka thënë ajo gazetës gjermane Suddeutsche Zeitung këtë të premte.

Në shtetin e Ursula von der Leyen pyetja më e shpeshtë është se si është e mundur që vaksina e zbuluar nga një kompani gjermane më me sukses po përhapet në SHBA e Britani se sa në BE.

Vaksina e Pfizer-BioNTech është miratuar për përdorim së pari në Britani të Madhe, mandej në SHBA, e vetëm më pas në BE.

Ka gjasa që në Gjermani debati për vaksinat të jetë më shumë i motivuar politikisht pasi vendi do të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në vjeshtë të këtij viti. Shumica e kritikave vijnë nga ekstremi i majtë dhe i djathë, respektivisht.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, e ka mbrojtur vazhdimisht Presidenten von der Leyen.

“Vendimi për të porositur vaksinat së bashku, si Bashkim Evropian, ka qenë vendim i drejtë”, ka thënë Kanceralja Merkel të premten.

Në Gjermani shumica e pranojnë se ka qenë me vend që të veprohet me solidaritet mes 27 vendeve dhe të ndihmohen vendet më të varfëra e më të vogla të Evropës që edhe këto të marrin vaksinën në të njëjtën kohë./Demokracia.com

 

Të ngjashme