Nga: Amy Webb “The Atlantic”
Në vitin 1770, kimisti gjerman Karl Shele kreu një eksperiment, duke vënë re se kishte krijuar një gaz të dëmshëm. Ai e quajti “acidi muriatik i deflogistikuar”. Sot e njohim si klor. Dy shekuj më vonë, një tjetër kimist gjerman, Fric Haber, shpiku një proces për sintetizimin dhe prodhimin masiv të amoniakut, i cili e revolucionarizoi bujqësinë, duke gjeneruar industrinë moderne të plehrave kimikë.
Ai fitoi Çmimin Nobel në Kimi në vitin 1918. Por i njëjti kërkim, i kombinuar me zbulimin e mëparshëm të Shele, ndihmoi në krijimin e programit të armëve kimike, të cilat Gjermania i përdori në Luftën e Parë Botërore. Ky është një shembull tipik i asaj që njihet si “dilema e përdorimit të dyfishtë”, në të cilin kërkimi shkencor dhe teknologjik ka synime të mira, por që nga ana tjetër mund të përdoret qëllimisht ose aksidentalisht për të shkaktuar dëme.
Si në kimi po ashtu edhe në fizikë, dilema e përdorimit të dyfishtë ka qenë prej kohësh një shqetësim, dhe ka çuar në hartimin dhe nënshkrimin e traktateve ndërkombëtare që kufizojnë përdorimet më shqetësuese të këtyre lloj elementëve.
Për shkak të Konventës për ndalimin e zhvillimit, prodhimit, grumbullimit dhe përdorimit të armëve kimike dhe shkatërrimit të tyre (e njohur ndryshe si Konventa e Armëve Kimike, ose CWC), një traktat i nënshkruar nga 130 vende, duhet të monitorohen dhe të inspektohen shumë kimikate të rrezikshme.
Një shembull është ricina, një element që prodhohet nga farat e ricinit, dhe që është për njerëzit vdekjeprurëse edhe në sasi shumë të vogla. Po kështu trietanolamina, e cila përdoret për të trajtuar infeksionet e veshit, dhe që është një përbërës për të trashur kremrat e fytyrës dhe balancuar pH-në e shkumave të rrojës, pasi mund të përdoret gjithashtu për të prodhuar acidin hidrozoik, i njohur ndryshe si gazi mustardë.
Ekzistojnë traktate të ngjashme ndërkombëtare, protokolle, dhe agjenci për të monitoruar përdorimet e dyfishta të elementëve në kimi, fizikë dhe Inteligjencë Artificiale. Por biologjia sintetike -që synon të projektojë apo ridizenjojë organizmat në një nivel molekular për qëllime të reja, duke i bërë ata të adaptueshëm në mjedise të ndryshme apo duke iu dhënë atyre aftësi të ndryshme – është aq e re sa që nuk ekzistojnë ende traktate të tilla për të.
Në vitin 2000, një ekip studiuesish në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut, nisi një eksperiment 2-vjeçar për të përcaktuar nëse mund të sintetizonin një virus të gjallë nga e para, duke përdorur vetëm informacionin gjenetik të disponueshëm, kimikatet jashtë raftit dhe ADN e marrë me porosi.
Projekti u financua me 300.000 dollarë nga Agjencia e Projekteve të Kërkimit të Avancuar të Mbrojtjes, si pjesë e një programi për zhvillimin e kundërmasave në luftën biologjike. Studiuesit blenë pjesë të shkurtra të ADN-së dhe i bashkuan me kujdes, duke përdorur 19 shënues shtesë për të dalluar virusin e tyre sintetik nga shtami natyror që po përpiqeshin të riprodhonin.
Dhe ata patën sukses. Më 12 korrik 2002, shkencëtarët njoftuan se kishin rikrijuar poliovirusin në laboratorin e tyre duke përdorur kodin, materialin dhe pajisjen që mund t’i binde çdokujt në dorë, madje edhe Al-Kaedas.
Ata e kishin krijuar virusin, për të dhënë alarmin se edhe terroristët mund të prodhonin armë biologjike, dhe se aktorët e këqij nuk kishin më nevojë për një virus të gjallë si Lija apo Ebola për ta përdor si një armë. Poliovirusi është ndoshta virusi më i studiuar i të gjitha kohërave, dhe në kohën e eksperimentit, mostrat e virusit ruheshin në laboratorë në mbarë botën.
Qëllimi i ekipit nuk ishte të rifuste poliovirusin në natyrë, por të mësonte se si të sintetizonte viruset. Ishte hera e parë që dikush kishte krijuar këtë lloj virusi nga e para, dhe Departamenti Amerikan i Mbrojtjes e përshëndeti kërkimin e ekipit si një arritje të madhe.
Njohja se si të sintetizohet ADN-ja virale i ndihmoi Shtetet e Bashkuara të fitojnë njohuri të reja se si ndryshojnë viruset, si bëhen ato imune ndaj vaksinave, dhe si mund të zhvillohen si armë. Eksperimenti nuk shkeli asnjë traktat ekzistues. Gjithsesi, komuniteti shkencor u indinjua.
“Prodhimi i qëllimshëm i një patogjeni sintetik njerëzor, është diçka e papërgjegjshme”-tha në atë kohë Xh.Kreig Venter, një gjenetist dhe pararendës i biologjisë sintetike. Por ai nuk ishte një incident i izoluar. Për shembull, kujtoni se çfarë ndodhi me sëmundjen e Lisë.
Organizata Botërore e Shëndetësisë shpalli të zhdukur këtë sëmundje në vitin 1979. Ajo shënoi një arritje të madhe për njerëzimin, pasi lija ishte një sëmundje vërtet e pabesë, shumë ngjitëse dhe nuk kishte një kurë të njohur për të. Simptomat që ajo shfaq janë temperatura e lartë, të vjellat, dhimbjet e forta të stomakut, skuqjet etj.
Ekzistojnë vetëm dy mostra të njohura të lisë natyrore:Njëra ndodhet vendosur në Qendrën e Paranalimit të Sëmundjeve Infektive(CDC), dhe tjetra në Qendrën Shtetërore të Kërkimit të Virologjisë dhe Bioteknologjisë, në Rusi.
Ekspertët e sigurisë dhe shkencëtarët kanë debatuar prej vitesh nëse ato mostra duhet të shkatërrohen, pasi askush nuk e dëshiron një tjetër pandemi globale të lisë.
Shkencëtarët dhe ekspertët e sigurisë druhen se terroristët janë sot jo vetëm të aftë të sintetizojnë një patogjen vdekjeprurës, por ta ndryshojnë qëllimisht atë në mënyrë që të fitojë forcë, elasticitet dhe shpejtësi. Ron Fushie, virolog në Qendrën Mjekësore Erasmus, në Roterdam të Holandës, njoftoi në vitin 2011 se kishte shumuar me sukses virusin e gripit të shpendëve H5N1, në mënyrë që ai të mund të transmetohej nga zogjtë tek njerëzit dhe më pas të përhapej në popullatë, si një lloj i ri i virusit vdekjeprurës.
Përpara shfaqjes së Covid-19, virusi H5N1 ishte më i keqi nga ata që e kanë goditur botën që prej kohës së gripit spanjoll të vitit 1918. Kur Fushier kreu eksperimentin e tij, dihej se vetëm 565 njerëz ishin infektuar me H5N1. Por ai kishte një shkallë vdekshmërie të lartë:59 për qind e atyre që ishin infektuar vdiqën.
Pra Fushier kishte marrë një nga viruset më të rrezikshëm natyralë të gripit që kishim hasur ndonjëherë, dhe e kishte bërë atë edhe më vdekjeprurës. Puna e Fushier, që u financua pjesërisht nga qeveria amerikane, i trembi aq shumë shkencëtarët dhe ekspertët e sigurisë, saqë në një veprim të paprecedentë, Bordi Kombëtar i Shkencës Këshillimore për Biosigurinë, brenda Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, u kërkoi revistave “Science” dhe “Nature” që të redaktonin disa pjesë të punimit të tij përpara botimit.
Ata kishin frikë se disa nga detajet dhe të dhënat e mutacioneve, mund t’i jepnin mundësi një shkencëtari të lig, një qeverie armiqësore apo një grupimi terroristësh të krijonin versionin e tyre hiper-ngjitës të H5N1. Ne sapo kemi përjetuar një pandemi globale, përsëritjen e së cilës nuk e dëshiron askush.
Vendet bashkohen zakonisht gjatë një krize, jo përpara një krize. Është e lehtë të biesh dakord për rrezikun, por është shumë më e vështirë të biesh dakord për një vizion të përbashkët dhe një transformim madhështor. Por ato mund të inkurajohen të bashkëpunojnë për të mirën publike, si për shembull në zhvillimin e bio-ekonomive të tyre, në vend që të shpenzojnë burime për të krijuar mjete të reja për luftën biologjike.
Një model është Marrëveshja e Bretton Woods, një pakt i vitit 1944 midis vendeve aleate të Luftës së Dytë Botërore që hodhi themelet për një sistem të ri monetar global. Ndër dispozitat e marrëveshjes ishin planet për të krijuar dy organizata të reja që kishin si mision monitorimin e sistemit të ri dhe nxitjen e rritjes ekonomike:Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Po ashtu, ata gjithashtu ranë dakord që të shmangnin luftërat tregtare. Në vend të monitorimit dhe rregullimit të një grupi global parash, sistemi që unë propozoj do të qeveriste grupin global të të dhënave gjenetike. Vendet anëtare do të bien dakord të përdorin një sistem të pandryshueshëm gjurmimi të bazuar në “blockchain” (zinxhirët kibernetikë) për të regjistruar sekuencat gjenetike dhe produktet e standardizuara.