Koronavirus ka goditur fort financat e klubeve evropiane të futbollit. Juventus është një prej tyre, me kampionët italianë që kanë pësuar një humbje të madhe në faturën financiare.
Sipas raportit financiar të bardhezinjve, klubi nga Torino ka humbur vetëm në gjashtë mujorin e parë të sezonit 2020-2021 plot 113.7 milionë euro.
Gjysma e parë e vitit u mbyll me humbje akoma dhe më të madhe krahasuar me gjashtëmujorshin e parë të sezonit të kaluar, ku fatura financiare e humbjeve të Juventusit ishte vetëm 50.3 milionë euro.
Rezultati për gjysmën e vitit rezulton në zvogëlimin e kapitalit aksioner të Grupit, i cili në 31 Dhjetor 2020 arriti në 125.5 milionë euro përkundrejt 239.2 milionëve të 30 Qershorit 2020.
Kjo ka ulur të ardhurat e skuadrës në 64 milionë euro, ku 39 milionë euro humbën për shkak të mungesës së tifozëve në shkallët e stadiumit. Këto efekte negative u kompensuan pjesërisht nga të ardhurat e larta për të drejtat televizive dhe radios, që sollën në arkat e klubit plot 27 milionë euro.
Për sa i përket të ardhurave, Juventus raporton rritje të lehtë të të ardhurave nga sponsorizimet dhe reklamat, si dhe rritjen e të ardhurave nga tregtia elektronike (+ 60%) , e cila pjesërisht kompenson rënien e pashmangshme të të ardhurave përmes kanalit të dyqanit. Borxhi financiar neto arriti në 357.8 milionë euro, një përmirësim prej 27.4 milionë euro krahasuar me 30 Qershor 2020. /Demokracia.com