Lajme
Pamjet dramatike: Mes përmbytjeve, austriaku shpëton nga vdekja fqinjët turq!
Demokracia
18:06 | 19 Korrik 2021

Share:

Në Turqi, gjesti i një austriaku që shpëtoi nga vdekja një çift të moshuar turk po përshëndetet si akt heroik.

Ngjarja ndodhi në qytetin e Hallein, shumë pranë kufirit me Gjermaninë, një prej zonave më të goditura nga përmbytjet masive të kësaj jave të cilat shkaktuan dhjetëra të vdekur në Gjermani e pjesë të tjerë të Europës.

Kur ujërat vërshuan në rrugët e Hallein, Salih dhe Ayşe Karaaslan u përpoqën të largoheshin nga banesa e tyre e përmbytur, por rryma ishte tepër e fortë e i tërhoqi me vete. Burri u përpoq të mbante gruan, megjithatë uji i rrëzon e i merr përpara që të dy. Në ato momente, fqinji i tyre Alexander Eisenmann, pa e menduar rrezikun që i kanosej, hidhet t’i ndihmojë. Duke luftuar me ujërat e furishëm, ai arrin ta shpëtojë çiftin.

Videon e këtij momenti dramatik e shpërndau zv/ministry i jashtëm turk, Yavuz Selim Kıran, me një falenderim special për Eisenmann. “Akti i tij heroik, i lindur prej një përgjegjshmërie njerëzorë, meriton të gjithë vlerësimin tonë. E falenderojmë nga zemra”, ka shkruar Kiran. Pasi e mori veten nga tronditja, Salih Karaslan rrëfeu se brenda vetëm 5 minutash, i gjithë oborri i restorantit të tyre ishte mbuluar me një metër ujë, dhe së bashku me të shoqen kishin mbetur të shokuar nga shpejtësia me të cilën ndodhi gjithçka, pa i lënë kohë të vepronin.

Ai i kishte kërkuar të shoqes të largoheshin, por ajo ishte befasuar aq shumë, sa nuk lëvizte dot nga vendi. Burri rrëfen se telefonuan zjarrfikëset e policinë, por askush nuk erdhi në ato momente dhe iu desh të merrinin një vendim: Ose të përpiqeshin të kalonin rrugën, ose të mbyteshin aty ku ishin.

Të ngjashme