Disa zyrtarë komunalë janë arrestuar sot në tri komuna, Pejë, Istog dhe Klinë, pas dyshimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke dhënë kështu leje të ndërtimit të paligjshme.
Burime të Demokracia.com kanë bërë të ditur se sot është arrestuar Drejtori i Urbanizmit, Lorenc Marleku si dhe Ali Gashi, zyrtar tjetër në këtë drejtori në komunën e Klinës.
Këta të dy, po dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dhënies së lejeve të ndërtimit të paligjshme.
Demokracia.com ka siguruar edhe video nga vendi i ngjarjes gjatë kohës së arrestimit të dy zyrtarëve.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore e Pejës do të mbajë konferencë për media në orën 15:30, ku do të jepen detaje rreth arrestimit të zyrtarëve komunalë.
Prokuroria përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se konferenca do të mbahet në objektin e tyre në Pejë në rrugën “Hasan Cermaxhija”.
Prokuroria Themelorë në Pejë ka konfirmuar se është duke u zhvilluar një aksion në këtë komunë, në Klinë dhe në Istog, me qëllim të gjetjes së provave ndaj disa zyrtarëve komunal, që dyshohen për ndërtime të paligjshme.
Prokuroria përmes një komunikatë për media ka thënë se janë angazhuar pesë prokurorë të shtetit nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, në koordinim me Njësitin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, raporton Demokracia.com.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinioni publik se, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe urdhëresës së gjyqtarit të procedurës paraprake, janë duke u kryer bastisje në tri komuna (Pejë, Klinë dhe Istog), me qëllim të gjetjes së provave për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” ndaj disa zyrtarëve komunal, lidhur me ndërtimet e paligjshme”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, lidhur me këtë aksion për Demokracia.com ka folur zëdhënësja e komunës së Klinës, Samije Gjergja.
“Është duke u zhvilluar aksioni. Për momentin ata ende janë në Drejtorinë e Urbanizimit. Vetëm në atë drejtori është duke u zhvilluar aksioni. Nuk kemi më shumë informacione lidhur me këtë çështje”, ka thënë Gjergjaj.
Demokracia.com do t’ju mbajë të informuar më zhvillimet rreth këtij rasti.