Shaqir Palushi, pronari i kompanisë “Frutex”, e cila prodhon lëngje dhe pijen energjike më të shitur në vend, Golden Eagle, thotë se janë shokuar kur kanë marrë ofertën e KEDS-it për furnizim me energji elektrike, kjo pas vendimit të ZRRE-së që si kompani të dalin në treg të hapur.
Palushi tregon se kanë kontaktuar disa kompani që merren me shitje të energjisë elektrike, por që vetëm KEDS-i ka bërë ofertë dhe ajo, në krahasim me një vit më parë, është hiç më pak se 226% më e shtrenjtë sesa në vitin paraprak.
“Pas vendimit të ZRRE-së që kompanitë me qarkullim mbi 10 milion apo me më shumë se 50 punëtorë të dalin në treg të hapur, ne kemi kontaktuar shumë kompani të licencuara për furnizim me energji. Shumica nuk kanë qenë të gatshme të na furnizojnë, derisa KEDS-i, nga i cili jemi furnizuar deri më tash, na ka furnizuar me energji elektrike, na ka sjellë një ofertë e cila na ka shokuar; është hiç më pak se 225% më e shtrenjtë sesa tarifa me të cilën jemi furnizuar deri më tash. Ose, e thënë në euro, vitin e kaluar kemi paguar 421 mijë euro, ndërsa ofertën e re e kemi marrë për 1 milion e 370 mijë euro – pra, përafërsisht është një milion më shumë. Kjo është një ngarkesë shumë e madhe për ne, por edhe për të gjithë prodhuesit”, ka shtuar Palushi.
Oferta e re e KEDS-it, sipas Palushit, është më e shtrenjta në rajon pa asnjë dyshim, por edhe ndoshta në Evropë, sepse kanë krahasuar çmimet me Gjermaninë dhe përafërsisht është 60 euro më shumë për megavat tek ne sesa atje.
Palushi thotë se kanë mbajtur një takim me ministren Artane Rizvanolli, e cila u ka premtuar se do të mundohen të gjejnë një zgjidhje apo që bizneset të furnizohen direkt nga KEK-u.
Kompania “Frutex”, shpjegon Palushi, ka menduar që të investojë në panele solare, bateri apo edhe të furnizohet vetëm me agregat për shkak të çmimit më të lirë.
Në anën tjetër, Palushi shpjegon se sa do të ndikojë në çmimin e produktit të tyre final ngritja e tarifave të energjisë.
“Meqenëse shpenzimet për energji elektrike për kompaninë tonë janë prej 2 deri në 5%, pastaj ka pjesë të lëndës së parë që u ka rënë çmimi, ne nuk kemi menduar që të rrisim çmimin e produkteve tona. Strategjia jonë është që të rrisim investimet dhe të rrisim prodhimin. Çmimet tona do të mbesin të njëjta”, ka theksuar Palushi.
Kompania “Frutex” rreth 60% të prodhimit të tyre e eksporton në mbi 60 shtete në gjithë botën, derisa pjesa tjetër është për tregun e brendshëm.