Lajme
Palmer: Sa më gjatë të presim për marrëveshjen Kosovë-Serbi, aq më e vështirë do të jetë
Demokracia
23:02 | 05 Mars 2021

Share:

I dërguari Special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer ka komentuar deklaratën e liderit të LVV-së, Albin Kurti i cili muajin e kaluar tha se dialogu nuk është prioriteti numër një i qeverisë në ardhje.

Palmer në një intervistë për mediumin serb “N1” tha se edhe ShBA-të janë pro që në Kosovë të luftohet korrupsioni dhe të rregullohet situata, transmeton Indeksonline.

“Kam dëgjuar përparësitë që Z. Kurti vuri në dukje – transparenca, qeverisja e mirë, lufta kundër korrupsionit, rregullimi i situatës në Kosovë – këto janë përparësitë tona, ne duam që e gjithë kjo të ndodhë në Kosovë,” tha ai.

“Kosova mund të marrë pjesë në këtë dialog në një mënyrë konstruktive duke u marrë me reformat e brendshme. Unë nuk shoh ndonjë kontradiktë midis këtyre përparësive” tha Palmer.

Tutje, i dërguari special shtoi se marrëveshja duhet të arrihet sa më shpejt.

“Koha nuk është në anën tonë. Sa më gjatë të presim, aq më e vështirë do të jetë dhe të gjitha sfidat do të jenë më të komplikuara”, tha Palmer.

Ai vlerësoi se dialogu “nuk fillon nga e para”, se shumë aspekte të marrëveshjes së Brukselit janë zbatuar dhe se kanë ndryshuar jetën e njerëzve për mirë dhe përmendi drejtësinë, lirinë e lëvizjes, energjinë dhe kërkimin e personave të zhdukur si shembuj.

Të ngjashme