Lajme
Palët nuk janë të interesuar për rezultate në dialog, ulen pritjet për takimin Kurti-Vuçiq
Demokracia
17:14 | 13 Shtator 2023

Share:

Në prag të takimit të radhës ndërmjet Albin Kurtit dhe Aleksander Vuçiqit, i cili do të mbahet nesër në Bruksel, janë ulur edhe pritjet. Askush nuk beson që takimi do të sjell ndonjë rezultat në procesin e normalizimit në mes të dy shteteve. Para takimet, palët kanë folur për konsktrutivitet, por nuk janë zotuar për asgjë.

Në këtë mënyrë, njohësit e procesit të dialogut Kosovë-Serbi kanë bërë me dije se nuk pritet ndonjë përparim. Sipas tyre, kjo do të ndodh për faktin se asnjëra palë nuk është e interesuar që të ketë rezultate.

Ata kanë vlerësuar se kryeministri i Kosovës dhe presidenti i Serbisë janë të interesuar të zvarrisin procesin.

Madje, ata janë shprehur skeptik se procesi do të ketë ndonjë përparim para zgjedhjeve në ShBA dhe BE.

Ish-Ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka vlerësuar se as Kurti dhe as Vuçiq nuk janë të interesuar për rezultate.

“Gjë që më bën të mos besoj që brenda mandatit që i ka mbetur Kurtit apo edhe presidentit Biden, do të shohim ndonjë zgjidhje apo lëvizje të vërtetë në dialogun Kosovë-Serbi. Çdo hap i ndërmarrë nga tandemi Kurti-Vuçiç është bërë për të ndezur, vonuar dhe për të ndalur procesin e vjetër të Brukselit”, ka shkruar Selimi në llogarinë e tij në “Twitter”.

Edhe eksperti amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alon Ben Meir, është shprehur skeptik për takimin e të enjtes.

Ai ka vlerësuar se SHBA-ja dhe BE-ja janë më shumë të interesuara ta largojnë Serbinë nga ndikimi i Rusisë.

“Po, ky mund të jetë qëllimi përfundimtar i SHBA-së dhe BE-së, por Kurti duhet të kuptojë se normalizimi i marrëdhënieve midis vendit të tij dhe Serbisë nuk do të ndodhë para zgjedhjeve në SHBA, pavarësisht se çfarë SHBA dhe BE i ofrojnë Serbisë në këtë moment”, ka thënë në një intervistë për “Bloombergun” në Slloveni.

As profesori amerikan në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, Edward Joseph, nuk ka pritje tjera nga takimi.

Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Joseph ka thënë se Brukseli në këtë takim duhet ta kujtojë se ka një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të zbatohet.

“Nuk mendoj se mund të presim shumë përparim. Kjo nuk do të thotë se nuk ka mundësi për asnjë përparim, por, thjesht, nuk duhet të kemi pritje shumë të mëdha. Do të befasohemi këndshëm, nëse do të ketë përparim. Ajo që është e rëndësishme të dalë nga ky takim, është. Është e rëndësishme për BE-në që të ndalojë së foluri për dialogun, sepse ka një marrëveshje, një marrëveshje që ka ofruar Brukseli dhe që është arritur në shkurt”, ka thënë profesori amerikan.

Ai ka treguar se nga krizat në veri dhe moszbatimi i marrëveshjes përfitojnë vetëm Kurti dhe Vuçiq.

“Politikisht, unë do të thosha se Aleksandar Vuçiq përfiton nga gjithçka që e pengon ta zbatojë marrëveshjen që SHBA-ja dhe BE-ja thonë se e ka pranuar. Kurti sigurisht përfiton, sepse presioni tani është vetëm për hapat e shtensionimit [të situatës në veri], dhe jo te çështja e Asociacionit”, është shprehur ai.

Escobar thotë se Kurti nuk i ka premtuar asgjë

Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar ka folur në prag të takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se pret që palët t’i marrin seriozisht detyrimet nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve.

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që palët t’i marrin me seriozitet detyrimet nga marrëveshja.

“Do të donim t’u kërkonim palëve t’i marrin seriozisht detyrimet e tyre nga kjo marrëveshje dhe të fillojnë të përparojnë me përmbushjen e detyrimeve ekzistuese dhe të mëparshme nga dialogu dhe nga marrëveshja dhe të fillojnë të shënojnë përparim këtë vit.” – ka thënë ai, duke u shprehur optimist për takimin.

“Shpresojmë që nëpërmjet trajtimit të detyrimeve dhe kërkesave që nuk janë zbatuar ende nga Marrëveshja e Ohrit, do të mund t’i zgjidhim të gjitha çështjet, që nga zgjedhjet dhe deri tek targat e makinave dhe letërnjoftimet, dhe çështje të tjera që u shndërruan në burim përshkallëzimi. Është shumë e rëndësishme që të zgjidhim një mori gjërash.” – ka thënë ai.

Ai ka folur edhe për bisedën që ka pasur një ditë më parë me kryeministrin Albin Kurti. “Nuk kam marrë zotim nga Kurti.” – ka thënë fillimisht Esobar, kur u pyet se ka marrë një lloj zotimi nga Kurti për zbatimin e marrëveshjes dhe për pjesëmarrje në “negociata aktive.”

BE-ja ka publikuar agjendën

Një ditë me parë, Bashkimi Evropian (BE) ka publikuar agjendën e takimit të 14 shtatorit mes kryeministri të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Sipas njoftimit të BE-së, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell bashkë me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojë takime të ndara me kryeministrit Kurti dhe me presidentin Vuçiq.

Takimet do të fillojë nga ora 09:00.Pas këtyre takimeve, BE ka theksuar se do të ketë një takim të përbashkët trepalësh.

“Të enjten, më 14 shtator, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell do të presë një takim të nivelit të lartë të dialogut Beograd-Prishtinë në Bruksel, me pjesëmarrjen e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës Albin Kurti. Përfaqësuesi i Lartë, me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, do të zhvillojë takime të veçanta me liderët përkatës që nga ora 9:00, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh.” – thuhet në njoftim.

BE ka treguar se takimi do të fokusohet në zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dhe për çështje të tjera aktuale.

“Takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe çështjet aktuale.” thuhet në njoftimi.

Takimi Kurti-Vuçiq do të jetë i pari pas tensioneve në veri, të cilat kanë ndodhur në fund të muajit maj.

Dërgimi i katër kryetarëve të rinj me asistencë policore në objektet e komunave në veri kishte nxitur tensione të shumta atje, duke e detyruar edhe intervenimin e KFOR-it.

Refuzimi i kërkesave të BE-së për deeskalim të situatës në veri ka bërë që Kosova të vendoset nën masa ndëshkuese nga BE-ja.

Të ngjashme