Lajme
Palestinezët dënojnë hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem: Shkelje të ligjit ndërkombëtar
Demokracia
20:19 | 15 Mars 2021

Share:

Palestinezët dënuan hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem, duke e cilësuar si “shkelje të ligjit ndërkombëtar”.

Nabil Abu Rudeineh, zëdhënës i presidentit të Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas, i bëri komentet një ditë pasi Kosova hapi zyrtarisht Ambasadën në Jeruzalem, në këmbim të njohjes së pavarësisë së saj nga Izraeli, raporton REL.

Palestinezët synojnë ta kenë Jeruzalemin lindor kryeqytet të shtetit të tyre të ardhshëm.

Turqia po ashtu e kritikoi hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jeruzalem, ndërsa zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Jordanisë, Dhaifallah Ali Al-Fayez, tha se çdo veprim për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit është “i pavlefshëm… dhe nuk ka asnjë efekt ligjor”.

Qëkur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur ta njohin Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit në vitin 2017 dhe në bazë të këtij vendimi ta bartin edhe ambasadën në Jeruzalem, nga BE-ja asnjë shtet nuk e ka ndjekur një hap të tillë.

Këtë muaj, Çekia ka hapur një zyrë diplomatike në Jeruzalem, por ambasadën e ka në Tel Aviv.

BE-ja pret që edhe nga shtetet kandidate, të cilat janë në procesin e anëtarësimit në BE, t’i përshtatin qëndrimet e veta me politikën e jashtme të BE-së.

Të ngjashme