Lajme
Pakistani teston raketën e dytë mes tensioneve me Indinë
Demokracia
12:00 | 05 Maj 2025

Share:

Të shtunën, ushtria tha se kishte testuar një raketë tokë-tokë me një rreze veprimi prej 450 kilometrash.

Ushtria pakistaneze tha të hënën se kishte kryer një provë rakete me një rreze veprimi prej 120 kilometrash, e dyta brenda dy ditësh.

Këto, ndërsa tensionet me Indinë janë rritur për shkak të Kashmirit të kontestuar, raporton AFP-ja.

New Delhi ka fajësuar Islamabad-in për mbështetjen e një sulmi vdekjeprurës ndaj turistëve në anën indiane të Kashmirit muajin e kaluar, duke shkaktuar një përballje të re midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamore.

“Lëshimi kishte për qëllim sigurimin e gatishmërisë operacionale të trupave dhe validimin e parametrave kryesorë teknikë, duke përfshirë sistemin e përparuar të navigimit të raketës dhe saktësinë e shtuar”, tha ushtria në një deklaratë.

Të shtunën, ushtria tha se kishte testuar një raketë tokë-tokë me një rreze veprimi prej 450 kilometrash.

Autoritetet pakistaneze nuk thanë se ku u zhvilluan të dyja testet.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, tha se ishte i kënaqur me “gatishmërinë e plotë të ushtrisë për mbrojtjen kombëtare”.

“Lëshimi i suksesshëm i stërvitjes tregon qartë se mbrojtja e Pakistanit është në duar të sigurta”, tha ai në një deklaratë.

Lëshimi i raketave vjen pasi kryeministri indian Narendra Modi tha se i ka dhënë ushtrisë së tij “liri të plotë operacionale” për t’iu përgjigjur sulmit të 22 prillit në Pahalgam që vrau 26 persona.

Pakistani ka mohuar çdo përfshirje dhe ka bërë thirrje për një hetim të pavarur.

Islamabadi paralajmëroi javën e kaluar për një sulm të afërt ajror nga fqinji i tij dhe e ka bërë të qartë vazhdimisht se do t’i përgjigjet me forcë çdo agresioni nga India.

Presioni ndërkombëtar është shtuar si mbi New Delhi ashtu edhe mbi Islamabad-in – të cilët kanë luftuar disa luftëra për rajonin e diskutueshëm të Kashmirit – për të ulur tensionet.

Kashmiri me shumicë myslimane, një rajon me rreth 15 milionë banorë, është i ndarë midis Pakistanit dhe Indisë, por pretendohet plotësisht nga të dyja.

Të ngjashme