Lajme
Pakënaqësitë “kulmojnë” në MPJ, Gërvalla riinfektohet me COVID-19 dy herë brenda 4 muajsh
Demokracia
22:55 | 24 Janar 2022

Share:

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka rezultuar sot pozitive me COVID-19 për herë të dytë. Këtë e ka bërë të ditur vetë ajo përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.

Gërvalla ka thënë se vaksinat e marra kanë ndikuar që ta përballojë më lehtë këtë valë të virusit.

Ajo njoftoi se është izoluar dhe po punon nga shtëpia.

Shefja e diplomacisë po ri-infektohet me COVID-19 në një periudhë relativisht të shkurtër. Herën e parë Gërvalla është infektuar më 2 shtator të vitit të kaluar dhe raportohej si ishte në gjendje të rëndë, shkruan Demokracia.com.

Sipas njoftimeve të saj, po rezulton që pas katër muajsh kryediplomates i ra sërish Covid-19 dhe çuditërisht ajo prapë u gjend në Gjermani.

Derisa Gërvalla tashmë është e izoluar dhe po punon nga shtëpia, së fundmi është përfolur për shumë pakënaqësi brenda resorit që e udhëheqë ajo, duke u paralajmëruar një numër i madh shkarkimesh të stafit diplomatik. Për disa nga këto largime, Demokracia.com ka raportuar ekskluzivisht ditë më parë, derisa javën e kaluar është konfirmuar shkarkimi i parë nga ky “kontingjent”.

Edhe herën e parë të infektimit, Gërvalla përballej me telashe në MPJD, derisa thoshte se është shëndosh si molla dhe punonte çdo ditë me shumë vullnet për të përfunduar së paku një pjesë të punëve të shumta që e prisnin.

Demokracia.com më 11 janar raportoi se në zyrën e Gërvallës po presin dhjetëra vendime për shkarkim të diplomatëve nga puna.

Gërvalla mësohet se është duke i kontestuar shumicën e konkurseve që nga viti 2011 e deri më tani.

Në konkursin e vitit 2011, siç mëson Demokracia.com, ishin punësuar shumica e diplomatëve që Gërvalla i ka identifikuar si njerëz që u shërbejnë subjekteve politike opozitare dhe nuk njihen për afërsi me pushtetin e ri.

Shumica e këtyre diplomatëve janë të përfshirë drejtpërdrejtë në njohjet dhe anëtarësimin e Kosovës plot një dekadë.

Për një “fshesë” të tillë, Gërvalla kishte paralajmëruar edhe vetë./Demokracia.com/

 

Të ngjashme