Lajme
Pakënaqësi për tarifat e reja të energjisë që hyjnë në fuqi më 1 maj
Demokracia
12:16 | 18 Prill 2025

Share:

Këto ditë, opinioni publik në vend, përveç debateve politike që lidhen me krijimin e institucioneve në Kosovë, është përballur edhe me çështjen e tarifave të reja të energjisë elektrike, të cilat pritet të hyjnë në fuqi më 1 maj 2025.

Zyra e Rregullatorit për Energji, së fundi aprovoi tarifat e reja që reflektojnë rritjen lineare të tarifave të rregulluara prej 16.1 % për të gjitha kategoritë e konsumatorëve në kuadër të shërbimit universal. Sipas ZRRE-së kërkesa/propozimi fillestar i KOSTT-it për të Hyrat e Lejuara Maksimale për OST/OT – ka qenë 101.878 milionë euro, ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 88.198 milionë euro.

Ndërsa kërkesa/propozimi fillestar i KEDS-it për të Hyrat e Lejuara Maksimale për OSSH ka qenë 214.45 milionë euron, ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 180.653 milionë euro. Ndërkaq kërkesa/propozimi fillestar i KESCO-s për të Hyrat e Lejuara Maksimale për FSHU ka qene 447.626 milionë euro, ndërsa ZRRE i ka aprovuar këto të hyra në vlerën prej 435.626 milionë euro, ku përfshihen operatorët e licencuar OSSH dhe OST/OT.   Sipas ZRRE-së, tarifat me blloqe për konsumatorët shtëpiak dhe tarifat ditë-natë për të gjitha kategoritë e konsumatorëve do të përdoren për të nxitur konsumin efiçient të energjisë elektrike.

Shumica e komenteve të dërguar në ZRRE, kanë qenë kundër shtrenjtimit të rrymës, përfshirë edhe Presidenca e Kosovës, e cila kundërshtoi propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. ZRRE thotë se ka përkrahje edhe nga Vjena për këtë çështje.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi më 1 maj

Sipas tarifave të reja të miratuar nga ZRRE, konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji do të paguajnë 9.05 centë për kilovat nga 7.79 centë sa paguajnë tani.

Ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, kilovati do të kushtojë 15.43 centë nga 13.29 sa është aktualisht.

Gjatë periudhës nga 1 prilli deri më 30 shtator nga ora 23:00 deri në 08:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është shtrenjtuar në 3.88 centë nga 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë. Ndërkaq, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë do të paguajnë 7.28 centë për kilovat nga 6.27 sa paguajnë aktualisht.

Grupi ‘’Asnjë cent më shumë’’ mban konferencë për media

Grupi “Asnjë cent më shumë” dhe aktivistë të tjerë vazhdojnë kundërshtimin ndaj tarifave të reja të energjisë, qoftë përmes protestave apo aktiviteteve të tjera, bile edhe bllokuan sërish zyrat e ZRRE-së, por Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) nuk është bindur që të heqë dorë nga ndryshimet që pritet të rëndojnë xhepin e qytetarëve të Kosovës. Grupi ‘’Asnjë cent më shumë’’ do të mbajnë konferencë për media gjatë ditës së sotme.Sipas njoftimit konferenca do të mbahet  duke filluar nga ora 12:00 në Sheshin “Skënderbeu”.

Si partitë politike, ashtu edhe organizatat e bizneseve në vend kanë vlerësuar se shtrenjtimi i energjisë elektrike do të ketë pasoja të rënda dhe mund të sjellë një ngritje zinxhirore të çmimeve – e cila, në fund, do të godasë konsumatorin final, pra qytetarët e Kosovës. Oda Ekonomike e Kosovës, Aleanca Kosovare e Bizneseve, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë etj kanë shprehur shqetësim se një lëvizje të tillë mund të ketë pasoja në ekonominë e Kosovës.

ASK: Gjatë muajit shkurt të vitit 2025, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 776.64 GWh

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ditë më parë ka publikuar “Statistikat e Energjisë” për muajin shkurt  2025 me të dhëna për prodhimin dhe konsumin e thëngjillit, prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjentëve të tjerë. Sipas ASK-së, është rritet konsumi i energjisë elektrike në shkurt  2025, krahasuar me shkurt 2024. Gjatë muajit shkurt të vitit 2025, energjia elektrike bruto në dispozicion ishte 776.64 GWh, ndërsa konsumi i energjisë elektrike ishte 536.32 GWh, që paraqet një rritje prej 12,86%, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Pjesëmarrja e energjisë elektrike alternative në kuadër të konsumit të përgjithshëm ishte 5,76%.

Ndërkaq, importi i energjisë elektrike në shkurt të vitit 2025 ishte 374.94 GWh, ndërsa eksporti i energjisë elektrike në të njëjtën periudhë ishte 132.32 GWh (këtu përfshihen edhe sasitë e transmetimit), kurse prodhimi i thëngjillit ishte rreth 658.12 mijë ton që paraqet një rritje prej 1,43%, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak.

KEK ka filluar projekte madhore për rehabilitim të njësive ekzistuese

KEK është prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në Republikën e Kosovës, duke mbuluar rreth 90% të konsumit të brendshëm përmes termocentraleve Kosova A dhe Kosova B. Këto kapacitete, që janë në funksion për dekada, kanë ruajtur stabilitetin energjetik edhe në kohë sfiduese. Me qëllim përputhjeje me standardet moderne dhe objektivat klimatike, KEK ka filluar projekte madhore për rehabilitim të njësive ekzistuese dhe përfshirje në energji të ripërtëritshme – përfshirë ndërtimin e një parku solar 100 MW në ish-deponinë e hirit të TC Kosova A. /RTK

Të ngjashme