Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka folur për programin e kësaj partie për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Krasniqi në këtë intervistë për mediumin Reporteri ka thënë se me PDK-në në krye të Qeverisë, Kosova do të jetë më mirë.
Krasniqi ka thënë se me Bedri Hamzën kryeministër qytetarët e Kosovës do të kenë ekonomi më të zhvilluar e paga më të mëdha.
“Ne besojmë se Kosova mundet më mirë, mundet më shumë. Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë, meritojnë më shumë. Ata ia kanë dhënë mundësinë zotit Kurti dhe ia kanë dhënë mandatin e plotë që t’i realizojë krejt ato që i ka premtuar ose së paku pjesën më të madhe të tyre, e fatkeqësisht nuk është realizuar pothuajse asgjë ose shumë pak. Çka do të jetë më mirë nën qeverinë e udhëhequr nga Bedri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës, e para do të ketë paga më të mëdha, të hyra më të mëdha për familjet dhe qytetarët e Kosovës. Kjo është e para dhe më e rëndësishmja. E dyta do të ketë vende pune më shumë me paga më të mira. E treta do të ketë perspektivë. Do të ketë hapësirë, mundësi dhe meritokraci për të rinjtë e të rejat në veçanti, që ata të mos kërkojnë perspektivë jashtë vendit.”, është shprehur ai.
Krasniqi ka thënë se ekonomia jonë do të ketë më shumë mundësi.
“Do të jetë më mirë për ekonominë sepse ne e shohim biznesin dhe sipërmarrësit si partner, jo si armiq si I ka parë kjo qeveri.”, ka theksuar ai.
Sipas kreut të PDK-së, do të jetë ma mirë edhe për shëndetësinë.
“Sepse ne besojmë që është e domosdoshme që të investohet në shëndetësi më shumë e në para së gjithash të investohet se paku 150 milionë euro në vit tek blerja e barnave nga lista esenciale me prioritet për sëmundjet e kancerit dhe sëmundjet kronike.”, tha ai.
Po ashtu sipas Krasniqit edhe arsimi do të jetë më cilësor.
“Arsimit do të jetë më mirë sepse Brenda mandatit do ta digjitalizojmë në cdo nivel dhe do ta modernizojmë në mënyrë që të ofrojë cilësi konkurruese me rajonin e të mos turpërohemi më nga rezultatet e PISA’s siç u turpëruam edhe këtë herë nën qeverisjen Kurti.”, ka shtuar ai.
Tutje, Krasniqi tha se do të përmirësohen marrëdhëniet me aleatët e Kosovës.
“Do të jetë më mirë për Kosovën në arenën ndërkombëtarw sepse do t’i rikuperojmë raportet që i kemi pasur jashtëzakonisht të mira me partnerët strategjikë, e që I ka degraduar kjo qeveri duke filluar nga SHBA, BE dhe shtetet e tjera partnere por edhe organizata ndërkombëtare. Ne jemi të bindur që nuk është e pamundshme me ba ma shumë e ma mirë për Kosovën dhe si parti jo vetëm që e kemi kandidatin më të mirë për kryeministër por edhe listën për deputetë unë besoj ma mirë se të tjerët, një listë që i përfaqëson të gjitha kategoritë, moshat por edhe gjeografinë e Kosovës. Edhe programin e kemi ma mirë se krejt.”, shtoi ai.