Lajme
Padia për mashtrimin 250 mln dollarë, Trump paraqitet për të dëshmuar në gjyqin në Nju Jork
Demokracia
16:30 | 06 Nëntor 2023

Share:

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka mbërritur në një gjykatë në Nju Jork ku do të zhvillohet gjyqi kundër tij dhe kompanive të tij. Trump do të përballet me pyetjet e hetuesve pasi akuzohet për mashtrim civil në vlerën e 250 milionë dollarëve.

Më herët, gjatë javës së kaluar në gjykatë dëshmuan 2 djemtë e rritur të Trump.

Prokurori i Përgjithshëm i Nju Jorkut kërkoi nga dy djemtë e rritur të ish-Presidentit të tregonin nëse kishin njohuri dhe a ishin përfshirë në pasqyrat financiare të kompanive të të atit, gjatë disa prej ditëve më të rëndësishme dhe më të tensionuara të gjykimit për mashtrim.

Paraqitjet e njëpasnjëshme të enjten nga Donald Trump Jr. dhe Eric Trump – të cilët të dy ndihmuan në drejtimin e Organizatës Trump ndërsa babai i tyre ishte në Shtëpinë e Bardhë – erdhën përpara dëshmisë së vetë ish-presidentit.

Donald Trump Jr. dhe Eric Trump janë të bashkëpandehur në këtë rast, së bashku me babanë e tyre, Organizatën Trump, dhe disa drejtues të kompanisë.

Sakaq pritet që në orët në vijim, Donald Trump të dëshmojë në gjyq.

Edhe pse është paraqitur personalisht më herët në seanca gjyqësore kundër tij, kjo do të jetë hera e parë që ish-presidenti u përgjigjet pyetjeve nën betim në publik në lidhje me akuzat për mashtrim.

Padia prej 250 milionë dollarësh e ngritur nga Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut Letitia James pretendon se Trump dhe personat e tjerë të pandehur kryen mashtrime të përsëritura, duke fryrë asetet në pasqyrat financiare për të marrë kushte më të mira për huatë komerciale për pasuri të paluajtshme dhe policat e sigurimit.

Gjykatësi tashmë ka vendosur që ish-presidenti është përgjegjës për mashtrim dhe ai po shqyrton se sa do të duhet të paguajë Trump si dëmshpërblim.

Edhe pse civile dhe jo penale, çështja kërcënon biznesin e Trump në Nju Jork. James po kërkon të ndalojë Trump të bëjë biznes në këtë shtet dhe të shpërbëjë kompanitë e tij.

Dëshmia e Trump të hënën do të shërbejë gjithashtu si një pararendës i katër gjyqeve penale me të cilat ai do të përballet vitin e ardhshëm, në të njëjtën kohë, kur ai bën fushatë për të rifituar presidencën.

Ndërkohë, Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut thotë se ajo pret që Trump të sulmojë organin e drejtësisë gjatë dëshmisë së tij, por sipas saj gjithçka “që ka rëndësi janë faktet”.

Duke folur në hyrje të gjykatës në Manhattan, James tha se “përpara se Trump të shprehë qëndrimin, jam i sigurt se ai do të angazhohet për të shprehur sharje dhe tallje”.

“Pritet ta cilësojë veten karrem dhe ta quajë këtë proces një gjueti shtrigash. Por në fund të fundit, e vetmja gjë që ka rëndësi janë faktet dhe numrat – dhe numrat, miqtë e mi, nuk gënjejnë.”

Të ngjashme