Intervista
Pacolli për situatën në veri: Kurti dështoi në diplomaci, Kosova do paguajë faturën
Demokracia
15:34 | 30 Maj 2023

Share:

Kryetari i AKR, Behgjet Pacolli duke folur për situatën e tensionuar në veri të Kosovës u shpreh i zhgënjyer nga veprimet e kryeministrit Albin Kurti, i cili sipas tij nuk bashkërendoi veprimet me aleatët ndërkombëtarë.

Pacolli gjatë një interviste për Euronews Albania tha se kryeministri i Kosovës ka dështuar në rrafshin ekonomik dhe diplomatik dhe ndaj duhet të tërhiqet për të mos e dëmtuar më shumë Kosovën. Sipas Pacollit, me Kurtin, Kosova rrezikon të humbasë atë që është arritur deri tani në arenën ndërkombëtare.

“Ju po i shihni reagimet, dënohet dhuna e banditëve serbë kundër KFOR-it, por dënohen dhe veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës. Sot i kërkohet tërheqja mbrapa qeverisë së Kosovës. Nuk e di çfarë fitore është që ti ta çosh një kryetar të punojë 2 orë në zyrë dhe pastaj përfundon duke punuar nga shtëpia. Kujt do t’i shërbejë ai nga shtëpia? Nuk ka kujt ti shërbejë! Jam krejt i zhgënjyer të shikoj këto imagjinacione në vendin tim. Një qeveri që nuk bashkërendit veprimet me partnerët ndërkombëtarë. Albin Kurti ka dështuar në planin ekonomik dhe diplomaik, nuk është i favorshëm për Kosovën. Duhet me u tërheq sa më shpejt nga qeveria nëse duhet t’i bëjë një favor Kosovës. Unë gjithmonë kam kërkuar rrugë konstruktive, jam i zhgënjyer deri në fund në këtë situatë”, tha Pacolli.

Më tej shtoi se Kosova nuk është e aftë ta luftojë Serbinë pa aleatët dhe ndaj ajo do të marrë kosto për veprimet e njëanshme të kryera në veri që çuan në tensionimin e situatës.

“Këtu qëndron bindja ime, pas çdo veprimi të Albin Kurtit, Vuçiçi ka patur suksese. Gjithmonë kështu ka qenë, për veprimet kundër targave, kush humbi? Humbi Kosova! Shkuarja e policisë në Veri, çfarë solli? Solli barrikada dhe kushtëzime deri sa tërheqja e barrikadave të banditëve serbë u kështëzua me tërheqjen e policisë së Kosovës. Kush është humbës? Jemi ne! Në këtë situatë, Vuçiçi, ose pala serbe do të ketë koncesione të tjera dhe Kosova duhet ta hapë trastën e vetë dhe të paguaj dhe për këtë. Kjo nuk i falet Albin Kurtit kësaj radhe. Sa kohë është në pikëpyetje mënyra e qeverisjes ai nuk duhet të luaj me fatin e Kosovës dhe atë që është krijuar deri tani. Frika ime nuk është se Veriu që do t’i kalojë Serbisë, por është dashur të pritet dhe veprimet të bashkërendohen me miqtë ndërkombëtar, duke e ditur se Kosova sot nuk është e aftë të luftojë Serbinë”, tha Pacolli.

Të ngjashme