Një takim i paralajmëruar në Bruksel, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk dihet se kur do të mbahet. Dy liderët ballkanas, janë treguar ngurrues në lidhje për një takim në Bruksel, të cilën BE-ja e cilësoi si takim të menaxhimit të krizës. Sot, BE-ja ka folur sërish për takimin e paralajmëruar, veriun, marrëdhënien mes Kosovës e Serbisë. Çka tha BE-ja sot?
Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian, ka përcjellë disa qëndrime dhe pritshmëri të Josep Borrellit, Përfaqësues i Lartë i BE-së. Sipas tij, Borrell pret që kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të vijnë në Bruksel për një takim krize. Tutje, BE-ja ka pasur edhe disa sqarime interesante në lidhje me takimin Kurti-Vuçiq, që ende s’dihet se kur do të mbahet.
Sipas BE-së, data e takimit ende nuk është vendosur, ndonëse Zyra e Borrellit vlerëson se palët duhet të kenë qasje të arsyeshme dhe se takimi duhet të realizohet pa parakushte.
“Vërtetë Përfaqësuesi i Lartë, Borrell e ka ftuar kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq të vijnë në Bruksel në një takim krize, për të gjetur një mënyrë për të dalë nga përshkallëzimi e për t’u kthyer te zbatimi i marrëveshjeve të dialogut. Data e takimit nuk është vendosur ende, pasi palët se kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Përfaqësuesi i Lartë dhe shtetet anëtare presin qasje të arsyeshme nga partnerët që aspirojnë t’i bashkohen Bashkimit Evropian. Të dy janë të ftuar dhe presim të vinë pa parakushte. Gjetja e një zgjidhje është interes i njerëzve në Kosovë e Serbi.” – deklaroi Stano.
Tutje, ai ka vlerësuar se BE-ja po e përcjell situatën në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke shtuar se po shikojnë nëse ka vullnet për shtensionim të situatës në veri, shkruan Nacionale.
“Sigurisht BE-ja e shtetet anëtare po e përcjellin këtë sjellje, nëse ka vullnet për shtensionim e zgjidhje të situatës. Kemi takimin e rregullit mujor të ministrave të jashtëm të hënën e ardhshëm, e kjo çështje është në agjendë. Kemi konkludimet e Këshillit, gjitha këto ngjarje do të reflektojnë gatishmërinë e liderëve për të treguar konstruktivitet e për t’u munduar të gjendet një zgjidhje. Ftesa e Përfaqësuesit të Lartë është mundësi e ofruar për të dy liderët që të tregojnë se mund të jenë mbi të gjitha konstruktivë e të tentojnë të gjejnë zgjidhje. Pasi kjo nuk është për të kënaqur Brukselin, është për të ardhmen, të ardhmen evropiane të njerëzve në Serbi dhe Kosovë, dhe mungesa e angazhimit do të ketë pasoja të paevitueshme për qytetarët. E përgjegjësia e vetme është e dy liderëve, presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti dhe nuk është përgjegjësi e askujt tjetër.” – tha Stano.
Ndërsa deklaratat e Kurtit dhe Vuçiqit në lidhje me një takim të mundshëm në Bruksel, Stano i ka cilësuar si “deklarata publike jokonstruktive”.
“Ne nuk kemi qenë në gjendje të caktojmë një datë sepse nuk kemi përgjigje përveç që kemi dëgjuar disa deklarata publike jonkonstruktive. Ne presim që ata të vinë dhe të gjejmë rrugë për të dalë nga kriza. Ne jemi të gatshëm të lehtësojmë bisedimet dhe t’i këshillojmë por në fund të fundit është në dorën e tyre të bëjnë diçka për shtensionim sepse është për të mirën e popujve të tyre.” – deklaroi ai.
Ndryshe, dy ditë më parë, Kurti theksoi nuk e di nëse do të shkojë në takimin e radhës në Bruksel.
“Në lidhje me ftesën e zotit Borrell që të takohemi në Bruksel, e kam pak të çuditshme sepse kur e pyetëm për një takim në Bruksel javën e kaluar, ai tha se së pari na duhet shtensionim i situates…Dhe menjëherë pas rrëmbimit të tre policëve nga njësia speciale e Serbisë, Borrell kërkon takim të nivelit të lartë. Kur përshkallëzimi është i madh sa një mal, atëhërë marr ftesë për takim në Brukesl. Kurse, kur këkrkova vetë takim, thanë se më nevojitet të shtensionoj situatën.” – deklaroi Kurti.